Policia e Kosovës ka realizuar një aksion kundër kontrabandës në zonën kufitare me Serbinë, ku ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të duhanit dhe cigareve të dyshuara të kontrabanduara.
Aksioni është zhvilluar më 17 shtator në kuadër të Planeve Operative “Shtatori 2026” dhe “Gatishmëria Vepruese 2026”, pas sigurimit të informatave operative.
Njësitet e Policisë Kufitare kanë ndërhyrë në fshatrat e brezit kufitar Rogoqicë-Novosellë, në Komunën e Kamenicës, ku kanë lokalizuar dhe ndaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit të mallrave.
Sipas Policisë, gjatë vëzhgimit është ndaluar një automjet “Citroen C5”, me ngjyrë hiri dhe targa të Serbisë, i cili po lëvizte nga Rogoqica në drejtim të Novosellës.
Në automjet ndodhej shoferi A.A., i lindur në Konqul në vitin 1972 dhe me vendbanim në Gjilan.
Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët policorë kanë zbuluar hapësira të modifikuara dhe të fshehura në bagazh, në ulëset e përparme dhe të pasme, si dhe në pjesën e dritave të përparme.
Në këto hapësira është gjetur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme e duhanit dhe cigareve të markave të ndryshme.
Policia ka bërë të ditur se janë sekuestruar rreth 30 kilogramë duhan, i paketuar në 60 paketime nga 500 gramë, të markave “Marlboro” dhe “Winston”.
Po ashtu, janë gjetur 164 shteka cigare, me nga 10 paketime secila, të markave “Karelia” dhe “President”, si dhe katër pako të vogla me cigare.
Sipas Policisë, sasia e konfiskuar dyshohet se ishte destinuar për tregun ilegal, me qëllim shmangien e procedurave doganore dhe përfitimin e kundërligjshëm financiar.
Të gjitha veprimet operative dhe procedurale janë zhvilluar në koordinim me prokurorin kompetent, ndërsa rasti po trajtohet dhe hetohet nga njësitet përkatëse të Policisë Kufitare – NJHR Jugu.
Policia e Kosovës ka thënë se do të vazhdojë veprimet kundër kontrabandës, krimit ndërkufitar dhe aktiviteteve të tjera ilegale./Telegrafi/