Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas aktgjykimit të 16 shtatorit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dhoma e Specializuar e Kosovës i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë për disa vepra të krimeve të luftës dhe shqiptoi dënime me burgim prej 25 vjetësh për Thaçin, 18 vjetësh për Veselin, 13 vjetësh për Selimin dhe 25 vjetësh për Krasniqin.
Lladrovci ka shprehur solidaritet me familjet e Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, si dhe me familjet e dëshmorëve dhe martirëve.
Ai e ka cilësuar aktgjykimin si “të padrejtë”, ndërsa ka thënë se ai nuk duhet të nxisë hakmarrje, urrejtje apo dëmtim të pronës publike e private.
“Vendimi i djeshëm, nuk guxon të nxis te qytetarët, në veçanti rininë tonë të shkëlqyer për hakmarrje, urrejtje, dëme ndaj shtetit dhe shtetësisë, dëme ndaj pronës private e publike, as dëme ndaj institucioneve të ndërtuara me mund”, ka shkruar Lladrovci.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës Speciale nuk e ul vlerën e luftës çlirimtare dhe as respektin për kontribuuesit e saj.
Lladrovci ka bërë thirrje për qetësi dhe ruajtje të institucioneve të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë.
“Republika e Kosovës është ideali ynë që na bashkon. Miqtë tanë që na ndihmuan kur qenia jonë biologjike ishte e rrezikuar, na ndihmuan ta bëjmë shtetin e lirë e demokratik, me vlera euro-atlantike, ne nuk guxojmë t’i shohim si kundërshtar”, ka deklaruar ai.
Ai ka falënderuar qytetarët e Drenasit për mënyrën se si, sipas tij, e kanë përcjellë vendimin, duke kërkuar që pakënaqësia ndaj aktgjykimit të shprehet pa dhunë dhe pa dëmtim të institucioneve apo pronës.
“Padrejtësia nuk drejtohet në rrugë, me shkatërrim të pronës private apo publike, nuk drejtohet me mosrespektim të institucioneve që i ndërtuam”, ka shkruar Lladrovci.
Në fund, ai ka bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe ka thënë: “Nuk guxojmë të veprojmë ashtu siç e pret armiku!”.
Aktgjykimi u shpall më 16 shtator 2026 nga Paneli i Gjykimit i Dhomave të Specializuara të Kosovës. /Telegrafi/