Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Gashi ka deklaruar se, pavarësisht verdiktit të Gjykatës Speciale, katër ish-krerët e UÇK-së, sipas tij, mbeten pjesë e një kapitulli të rëndësishëm të historisë së Kosovës.
“Asnjë verdikt nuk mund ta mohojë faktin se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi i përkasin një kapitulli të lavdishëm të historisë së Kosovës. Në kohën kur liria e Kosovës dhe paqja e stabiliteti i rajonit ishin ende një ideal për të cilin duhej luftuar, ata patën guxim të angazhohen dhe ta marrin mbi vete përgjegjësinë historike për ta sjellë lirinë te populli i tyre”.
“Për popullin shqiptar, ata janë dhe mbeten çlirimtarë të Kosovës. Lufta e UÇK-së, sakrifica dhe vetëmohimi i atyre që e udhëhoqën dhe ishin pjesë e saj janë vetë rruga që çoi në lirinë e Kosovës dhe në një epokë të re paqeje e stabiliteti në rajon. Aktgjykimi i sotëm është i shkallës së parë, ndërsa beteja për drejtësi vazhdon”.
“Andaj, sot është dita të qëndrojmë bashkë, me dinjitet e qetësi dhe të dëshmojmë se mendjet dhe zemrat tona janë pranë çlirimtarëve dhe familjeve të tyre. Sepse Kosova e lirë ishte beteja më e vështirë dhe ata e fituan. Sepse Kosova e lirë është dëshmia e atij brezi që guxoi ta ëndërronte lirinë dhe njëkohësisht ngushëllimi që duhet të na mbajë të fortë përballë vendimit të sotëm dhe sfidave të tjera”, ka shkruar Gashi./Telegrafi/