Zbulimi i shpellës së Laskosë në Francë ndihmoi të vërtetohej se njerëzit e Epokës së Gurit kanë mundur të jenë artistë të mëdhenj dhe novatorë teknologjikë.
Nga: Jesse Greenspan / History
Përkthimi: Telegrafi.com
Më 12 shtator 1940 – vetëm pak muaj pasi Gjermania naziste kishte pushtuar vendin e tyre – katër adoleshentë francezë zbritën në një shpellë në një kodër pranë qytetit Montinjak. Thuhet se djelmoshat – njëri prej të cilëve së shpejti do të ndalohej për shkak se ishte hebre – shpresonin të gjenin thesar të groposur. Në vend të kësaj, ata zbuluan një koleksion të gjerë të artit parahistorik, të datuar në kulmin e Epokës së Akullnajave – rreth 21 mijë vjet më parë, gjë që ndryshoi tërësisht mënyrën se si perceptohen njerëzit e hershëm.
– Lexo po ashtu: Si e shpiku arti njerëzimin
Shpella e Laskosë, siç njihet, përmban rreth 600 piktura murale dhe rreth 1 500 gravura të gdhendura në faqet e disa hapësirave. Ndër kafshët e shumta të paraqitura, kuajt janë deri tani më të shumtët – ndjekur nga drerët, gjedhët e egër, dhitë e egra dhe bizonët. Ka gjithashtu një numër të vogël mishngrënësish, përfshirë arinj dhe mace të egra, si dhe një figurë njerëzore: një burrë me kokë zogu (ose me maskë zogu), me një falus të ngritur, për të cilin disa besojnë se është ndonjë shaman në ekstazë. Muret zbukurohen gjithashtu me shenja të padeshifruara, me pika dhe vija të thjeshta deri te format më komplekse katërkëndore dhe pesëkëndore.
Një pikturë murale në shpellën e Laskosë, që paraqet një burrë pranë një bizoni, i ka intriguar studiuesit qëkur u zbulua në vitin 1940Foto: Corbis via Getty Images
1. Qëllimi i pikturave mbetet mister
Nuk ekziston asnjë dëshmi se njerëzit kanë jetuar ndonjëherë në shpellën e Laskosë dhe mbetet mister pse artistët parahistorikë zgjodhën ta dekoronin atë. “Një nga idetë më të hershme është se ishte thjesht art për hir të artit, se njerëzit kanë këtë nevojë të lindur për t’u shprehur artistikisht dhe se njerëzit parahistorikë nuk ishin ndryshe”, thotë April Nowell, arkeologe e Paleolitit në Universitetin e Viktorias në Kanada. Në këtë kuptim, Laskoja do të kishte qenë si një muze ose galeri e lashtë.
Të tjerë teorizojnë se Laskoja përdorej në ceremoni gjuetie, pjellorie, inaugurimi ose fetare (ose në ndonjë ndërthurje të tyre), apo për t’i mësuar fëmijët rreth gjuetisë. Nga ana e saj, Nowell spekulon se Laskoja dhe shpellat e tjera parahistorike shërbenin si hapësira performative me rëndësi rituale, ku grupe të ndryshme gjuetarë-mbledhësish mund të mblidheshin kohë pas kohe. “Mendoj se shumë prej këtyre imazheve janë pjesë e një tradite gojore të rrëfimit të historive”, thotë Nowell.
Një detaj i një lope të zezë nga pikturat: Duke punuar nën dritën e llambave, artistët dinin si ta përdornin dritën për të krijuar iluzionin e lëvizjesFoto: Heritage Images via Getty Images
2. Artistët dinin si ta përdornin dritën dhe perspektivën
Siç vë në dukje Nowell, ka plot “art të keq në Paleolit të cilin nuk e shohim në kopertinat e teksteve shkollore”. Por, në përgjithësi, artistët e Paleolitit (ose të Epokës së Vjetër të Gurit) qëndrojnë denjësisht përballë artistëve të epokave shumë më të vona. Një studim i vitit 2012 zbuloi se artistët e Paleolitit i paraqisnin kafshët katërkëmbëshe, duke ecur, më saktë sesa homologët e tyre modernë.
Artistët e Paleolitit e kuptonin gjithashtu perspektivën e cila, siç vë në dukje një artikull i New Yorker-it i vitit 2008, nuk do të rizbulohej deri në Epokën e Artë të Athinës. Nowell vëren se ata i përshtatnin veprat e realizuara më lart, në shpellë, në mënyrë që të dukeshin më mirë nga toka dhe se e përdornin topografinë natyrore të mureve të shpellës për të krijuar ndjesinë e vëllimit. “Kur shohim një pikturë të sheshtë nga një periudhë e mëvonshme, ajo nuk e ka të njëjtën ndjesi, të njëjtën gjallëri”, thotë Nowell.
Duke punuar nën dritën e llambave që digjnin yndyrë, artistët e Laskosë dinin si ta përdornin dritën për të krijuar iluzionin e lëvizjes. “Nëse e mbani [llambën] pikërisht në mënyrën e duhur, ajo vërtet ju jep ndjesinë sikur kafsha lëviz para e prapa”, thotë Nowell. “Njerëzit e kanë përshkruar, në njëfarë mënyre, si një kinema parahistorike. Dhe mua më pëlqen shumë kjo ide”. Ajo vëren se kjo teknikë është edhe më e theksuar në shpella të tjera parahistorike, përfshirë shpellën Shove, po në Francë, ku një bizon është vizatuar me tetë këmbë për ta paraqitur në lëvizje.
Herë pas here, artistët e Paleolitit punonin me shabllone dhe eksperimentonin gjithashtu me atë që më vonë do të quhej pointilizëm. Kur Pablo Picasso vizitoi Laskonë, thuhet se tha: “Ata kanë shpikur gjithçka”.
3. Një replikë e shpellës është e hapur për publikun
Laskoja ka kohë që është e mbyllur për publikun – për të mbrojtur artin (ndonëse aty pranë ndodhet një replikë e shpellës). Për shkak se është studiuese profesioniste e Paleolitit, Nowell mori leje për të hyrë në Lasko në vitin 1996. “Thjesht ndien një varg kafshësh që vërshojnë drejt teje”, thotë Nowell. “Ishte sikur të kishim hyrë në më të shenjtën e sinagogave, kishave ose xhamive. Kur u tregoj studentëve të mi për vizitën atje, ende rrëqethem”.
Ajo thotë se ndër veprat e saj të preferuara në Lasko është një grup drerësh që “duken sikur mund të jenë duke kaluar përmes ujit, sepse shihen vetëm kokat e tyre në një rresht”. Pjesë të tjera të famshme të Laskosë përfshijnë Sallën e Demave dhe Panelin e Njëbrirëshit. Kafsha më e madhe në Lasko, një dem, është 17 këmbë e gjatë [2.13 metra].
Ndër kafshët e shumta të paraqitura në muret e shpellës, kuajt janë deri tani më të shumtëtFoto: Gamma-Rapho via Getty Images
4. Ata përdornin minerale lokale, qime kafshësh dhe gishtat për të pikturuar
Artistët e Laskosë përdornin vegla guri për të gdhendur, ndërsa për të vizatuar dhe pikturuar përdornin minerale vendore të bluara, si mangani dhe okri. Të kufizuar prej mineraleve që kishin në dispozicion, ata pikturonin kryesisht me të zezë, kafe, të kuqe dhe të verdhë, ndonëse një emblemë në formë fushe shahu në shpellë përmban edhe një nuancë vjollce të çelët.
Besohet se artistët e Laskosë përdornin paleta të sheshta prej guri për të përzier ngjyrat dhe më pas i vendosnin ato me prekje mbi muret e shpellës – me gishta dhe furça prej qimeve të kafshëve. Ata gjithashtu e shpërndanin ngjyrën përmes eshtrave të zbrazëta të shpendëve (në thelb, një formë e hershme e pikturimit me spërkatje) dhe vizatonin me shkumësa mineralesh.
Asnjë dritë natyrore nuk depërton brenda Laskosë, ndaj, për të parë, artistët vareshin nga llambat që digjnin yndyrë. Pishtarët dhe vatrat e zjarrit ndriçonin shpellat e tjera parahistorike të dekoruara, të cilat janë gjetur në çdo kontinent përveç Antarktidës, por në Lasko nuk ekziston asnjë dëshmi për përdorimin e tyre.
Ndoshta gjëja më mbresëlënëse nga të gjitha është se artistët e Laskosë duket se ngritën skela për të arritur pjesët e sipërme të shpellës. Në vend janë gjetur vrima shtyllash dhe litarë. “Personi do të ketë qenë i shtrirë në shpinë, pak a shumë si në Kapelën Sistine”, thotë Nowell. “Duhet të jesh në gjendje ta shohësh të gjithë tavanin, në mendje, teksa po e kryen punën”. Ashtu si shpella Altamira në Spanjë, Laskoja nganjëherë quhet Kapela Sistine e Paleolitit.
5. Shpellat sugjerojnë se njerëzit parahistorikë e vlerësonin kulturën
Laskoja nuk ishte shpella e parë parahistorike e zbuluar që është e mbushur me art. Por, ajo ndihmoi të vërtetohej se zbulimet e mëparshme, si shpella Altamira, nuk ishin falsifikime moderne – siç kishin menduar shumë njerëz. Ajo gjithashtu zbuloi shkallën e plotë të mjeshtërisë artistike parahistorike.
“Në kohën kur u zbulua, Laskoja ishte shpella më spektakolare parahistorike që ishte parë ndonjëherë dhe mbeti e tillë deri kur u zbulua Shoveti në vitet ’90 [të shekullit XX]”, thotë Nowell.
Përveçse nxori në pah talentet e tyre artistike dhe risitë teknologjike, Laskoja tregoi se gjuetarë-mbledhësit e Epokës së Akullnajave kujdeseshin për më shumë sesa vetëm për vaktin e tyre të ardhshëm. “Kemi prirjen t’i mendojmë njerëzit parahistorikë si tepër seriozë gjatë gjithë kohës”, thotë Nowell. Por, veprat e artit zbulojnë anën e tyre të sofistikuar, shton Nowell, si edhe sensin e tyre të humorit. /Telegrafi/