Përpjekjet e Arsenalit për të transferuar Vinicius Junior duket se kanë marrë fund, pasi braziliani është gjithnjë e më pranë vazhdimit të karrierës te Real Madridi.
Klubi madrilen mbetet optimist se do të arrijë marrëveshje me 26-vjeçarin për rinovimin e kontratës, duke bërë që “Topçinjtë” të zhvendosin vëmendjen te objektiva të tjerë për repartin ofensiv.
Pas dështimit për të afruar edhe Morgan Rogers, i cili zgjodhi Chelsean, trajneri Mikel Arteta dhe drejtuesit e klubit po analizojnë emra të tjerë që mund të përforcojnë krahun e majtë të sulmit.
Portali GOAL ka renditur tetë futbollistët që konsiderohen alternativat më të mira për londinezët.
8. Mika Godts (Ajax)
21-vjeçari belg zhvilloi një sezon të mirë me Ajaxin, duke regjistruar 17 gola dhe 12 asistime në kampionat. Megjithatë, përvoja e kufizuar në nivelet më të larta e bën një opsion me më shumë rrezik.
7. Luis Diaz (Bayern Munich)
Kolumbiani ishte një nga anësorët më të mirë në Evropë sezonin e kaluar. Transferimi i tij te Arsenali duket shumë i vështirë, pasi Bayerni nuk dëshiron ta shesë dhe interesim ka edhe nga Al-Hilal.
6. Rafael Leao (AC Milan)
Portugezi mbetet një nga sulmuesit më të talentuar në Serie A. Milani thuhet se mund ta lejojë largimin për rreth 50 milionë euro, por paqëndrueshmëria në paraqitje mbetet pikëpyetje.
5. Kenan Yildiz (Juventus)
Talenti turk është prej kohësh në radarët e Arsenalit. Juventusi nuk dëshiron ta shesë dhe raportohet se do të shqyrtonte vetëm oferta mbi 100 milionë euro.
4. Marcus Rashford (Manchester United)
Pas huazimit të suksesshëm te Barcelona, Rashford është rikthyer te United. Çmimi i ulët mund ta bëjë tërheqës, por paga e lartë dhe rivaliteti mes klubeve angleze mbeten pengesa të mëdha.
3. Nico Williams (Athletic Bilabao)
Spanjolli vazhdon të jetë një objektiv afatgjatë i Arsenalit. Klauzola prej 90 milionë eurosh e bën një transferim të realizueshëm, megjithëse dëmtimet e sezonit të kaluar kanë ngritur disa pikëpyetje.
2. Bradley Barcola (Paris Saint-Germain)
Francezi konsiderohet një nga anësorët më cilësorë në futbollin evropian. PSG kërkon rreth 170 milionë euro për kartonin e tij, ndërsa në garë për shërbimet e tij është edhe Liverpooli.
1. Eli Junior Kroupi (Bournemouth)
Sulmuesi francez kryeson listën e alternativave. Pas një sezoni mbresëlënës me Bournemouthin, ai shihet si një investim ideal për të tashmen dhe të ardhmen, edhe pse klubi anglez kërkon mbi 110 milionë funte për ta lënë të lirë.
Francezi – i cili sapo ka mbushur 20 vjeç – është quajtur tashmë “Thierry Henry i ardhshëm” në disa ambiente, dhe legjenda e Arsenalit shpesh përdorej me efekt shkatërrues nga e majta, veçanërisht gjatë kohës së tij te Barcelona. /Telegrafi/
