Distanca nuk vjen gjithmonë nga mungesa e dashurisë; shpesh pas saj fshihen plagë të vjetra, kufij të pavendosur dhe nevoja për qetësi
Largimi i fëmijëve të rritur nga prindërit është një nga temat më të ndjeshme në familje. Shumë prindër e përjetojnë si ftohtësi, mosmirënjohje ose shkëputje të papritur, ndërsa fëmijët e rritur shpesh ndiejnë se distanca është mënyra e vetme për ta ruajtur qetësinë e tyre.
Edhe pse shumë prindër mendojnë se kanë bërë gjithçka për fëmijët, ndonjëherë për ta kjo nuk ka qenë e mjaftueshme. Ata mund të kenë qenë të ushqyer, të veshur dhe të sigurt, por mund t’u ketë munguar afërsia emocionale, mirëkuptimi dhe ndjenja se janë dëgjuar vërtet.
Zakonisht, pas rrallimit ose ndërprerjes së kontaktit nuk qëndron vetëm një ngjarje. Më shpesh bëhet fjalë për vite të tëra zhgënjimesh, emocionesh të pathëna, keqkuptimesh dhe nevojës së fëmijës së rritur për të vendosur kufij.
Kjo nuk do të thotë gjithmonë se dashuria është zhdukur. Shpesh do të thotë se në marrëdhënie ka probleme të vjetra që nuk janë zgjidhur kurrë.
Traumat e fëmijërisë lënë gjurmë
Mënyra se si jemi rritur ndikon shumë në marrëdhëniet tona si të rritur. Kritika e vazhdueshme, nënçmimi, mungesa e mbështetjes, neglizhenca emocionale ose ndjenja se fëmija nuk është kurrë mjaftueshëm i mirë mund të lënë pasoja të thella.
Disa fëmijë, kur rriten, largohen nga prindërit jo sepse nuk i duan, por sepse përpiqen të mbrohen nga dhimbja që kanë mbajtur për vite. Shpesh ata vetëm më vonë e kuptojnë se gjatë fëmijërisë kanë shtypur emocionet e tyre dhe kanë pranuar sjellje që i kanë lënduar.
Shumë prindër janë rritur në kohë kur dashuria matej kryesisht me sigurimin material: ushqim, rroba, shkollim dhe siguri. Por fëmijës i duhen edhe butësi, pranim, vëmendje dhe afërsi emocionale. Kur këto mungojnë, ndjenja e braktisjes mund të mbetet edhe në moshë të rritur, transmeton Telegrafi.
Fëmija i rritur kërkon jetën e vet
Një nga arsyet më të shpeshta të largimit është nevoja për pavarësi. Fëmija i rritur dëshiron të vendosë vetë për partnerin, punën, vendbanimin, financat dhe mënyrën si i rrit fëmijët e vet.
Problemi nis kur prindërit nuk e pranojnë se fëmija i tyre nuk është më fëmijë. Nëse vazhdojnë të kontrollojnë, të kritikojnë ose të japin këshilla të pakërkuara, fëmija mund të largohet për ta ruajtur pavarësinë dhe qetësinë e tij.
Kufijtë nuk janë refuzim
Vendosja e kufijve nuk do të thotë mungesë dashurie. Përkundrazi, kufijtë e shëndetshëm shpesh e bëjnë marrëdhënien më të mirë.
Fëmija i rritur ka nevojë të dalë nga rolet e vjetra familjare, si “fëmija që nuk kundërshton kurrë”, “ai që duhet t’i shpëtojë të gjithë” ose “personi që është gjithmonë fajtor”. Kur prindërit nuk e pranojnë këtë ndryshim, distanca ndonjëherë bëhet mënyra e vetme për të marrë frymë lirshëm.
Kritika dhe kontrolli largojnë edhe më të afërmit
Disa fëmijë nuk largohen për shkak të një konflikti të madh, por për shkak të situatave të vogla që përsëriten me vite: ndërhyrje në martesë, komente për prindërimin, krahasime me të tjerët, mospranim i zgjedhjeve ose vënie e vazhdueshme në dyshim e vendimeve të tyre.
Me kalimin e kohës, kjo krijon lodhje emocionale dhe nevojë për hapësirë.
Largimi nuk është gjithmonë fundi i dashurisë. Ndonjëherë është përpjekje për të gjetur paqe, për të shëruar plagët e vjetra dhe për të ndërtuar një marrëdhënie më të shëndetshme.
Pas heshtjes së një fëmije të rritur shpesh nuk qëndron urrejtja, por një histori që për shumë vite ka pritur të dëgjohet. /Telegrafi/
