Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka shprehur shqetësim për, siç ka thënë ai, barrën në rritje financiare që po u ngarkohet komunave si pasojë e vendimeve të marra nga niveli qendror, pa konsultim me pushtetin lokal.
Përmes një reagimi në Facebook, Totaj ka deklaruar se komunat tashmë po përballen me kosto të larta nga zbatimi i Kontratës Kolektive, ndërsa së fundi janë marrë edhe vendime të tjera që, sipas tij, rëndojnë drejtpërdrejt buxhetet komunale.
“Përveç barrës së vazhdueshme financiare që komunat po përballojnë nga zbatimi i Kontratës Kolektive, e cila vetëm gjatë këtij viti arrin në dhjetëra milionë euro, gjatë periudhës së fundit janë ndërmarrë edhe disa vendime të tjera me ndikim të drejtpërdrejtë dhe të konsiderueshëm në financat e pushtetit lokal. Shqetësuese është se të gjitha këto vendime janë marrë pa asnjë konsultim me komunat”, ka shkruar Totaj.
Ai ka veçuar si shqetësim përgjysmimin e Grantit të Performancës Komunale, duke thënë se Ligji për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026 kishte paraparë katër milionë euro për këtë skemë, ndërsa janë ndarë vetëm dy milionë euro.
“Ligji për Ndarjet Buxhetore për vitin 2026 ka paraparë katër milionë euro nga buxheti i shtetit për Skemën e Grantit të Performancës. Megjithatë, janë ndarë vetëm dy milionë euro, duke e përgjysmuar fondin qeveritar në kundërshtim me ligjin dhe duke dëmtuar komunat që kanë përmbushur kriteret ligjore për përfitim”, ka theksuar ai.
Totaj ka përmendur edhe moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me kompensimin e përvojës së punës, duke vlerësuar se kjo do të krijojë obligime të konsiderueshme financiare për komunat.
Sipas tij, një tjetër barrë për pushtetin lokal është edhe ndryshimi i Grantit të Arsimit.
“Ndryshimi arbitrar i Grantit të Arsimit ka bërë që financimi qendror të mos mbulojë rreth 3,100 mësimdhënës, duke krijuar një barrë shtesë prej rreth 24 milionë euro për këtë vit për komunat. Kjo do të kufizojë ndjeshëm mundësinë e komunave për të financuar investimet kapitale, subvencionet dhe shërbimet publike”, ka deklaruar Totaj.
Në fund, kryetari i Prizrenit ka paralajmëruar se, nëse kjo qasje vazhdon, komunat do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të financojnë projekte zhvillimore dhe investime në interes të qytetarëve.
“Nëse ky trend vazhdon, komunat rrezikojnë të mbesin pa kapacitet real financiar për të investuar në infrastrukturë, zhvillim ekonomik lokal, subvencione dhe projekte të tjera në interes të qytetarëve. Kjo cenon drejtpërdrejt autonominë financiare të pushtetit lokal dhe bie ndesh me parimet e vetëqeverisjes lokale”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/
