Një person është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Gjilan, nën dyshimin se ka tentuar të kryejë grabitje në një argjendari në qendër të qytetit.
Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, i dyshuari me inicialet D.B. është ndaluar sot rreth orës 14:00, pas reagimit të shpejtë të Policisë dhe koordinimit me prokurorin e shtetit.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Tentim grabitjeje”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria ka njoftuar se ndaj të dyshuarit kanë nisur hetimet dhe se, brenda afateve ligjore, do të parashtrojë në Gjykatën Themelore në Gjilan kërkesën për caktimin e masës për sigurimin e pranisë së tij në procedurë.
