Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar kundër vendimit të një gjykate në Slloveni, e cila e ka dënuar kreun e Kishës Ortodokse Serbe (KOS), patriarkun Porfirije, me katër muaj burgim me kusht.
Kisha Ortodokse Serbe e ka cilësuar vendimin si “skandaloz”, ndërsa nuk ka bërë të ditur konkretisht veprën për të cilën është shpallur fajtor patriarku.
Sipas Radiotelevizionit të Sllovenisë, në mars Prokuroria Themelore e Lubjanës kishte ngritur aktakuzë ndaj Porfirijes për keqtrajtim të një prifti në vendin e punës, raporton nova.rs.
Vuçiq deklaroi se patriarku serb është dënuar “për diçka që nuk e ka bërë kurrë”, duke e interpretuar vendimin si një tregues të qëndrimit ndaj Kishës Ortodokse Serbe, të cilën ai e cilësoi si një nga shtyllat kryesore të shoqërisë serbe.
“Patriarku Porfirije mund të jetë krenar edhe me këtë vendim, sepse ai tregon rëndësinë që ka për popullin serb dhe qëndrimin e atyre që nuk e duan atë popull”, tha Vuçiq gjatë një vizite në punimet për ndërtimin e një segmenti rrugor pranë Leskovcit.
Sipas presidentit serb, ky vendim mund ta paraqesë Porfirijen si viktimë dhe martir në sytë e mbështetësve të tij, duke i dhënë atij edhe më shumë mbështetje nga besimtarët dhe opinioni publik serb.
Porfirije ka drejtuar Mitropolinë e Zagrebit dhe Lubjanës të Kishës Ortodokse Serbe nga viti 2014 deri në vitin 2021, kur u zgjodh patriark i Kishës Ortodokse Serbe. /Telegrafi/
