Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Kosova do të përfitojë gjithsej 206.4 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, në kuadër të programeve IPA 2026, IPA 2027 dhe Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Përmes një njoftimi, Kurti tha se më 7 korrik Bashkimi Evropian e ka informuar zyrtarisht Kosovën se Komiteti i IPA-s ka miratuar projektet e propozuara nga vendi në kuadër të programeve IPA 2026 dhe IPA 2027, në vlerë prej 180.5 milionë euro.
Ai bëri të ditur se, pas miratimit nga Komisioni Evropian dhe nënshkrimit e ratifikimit të Marrëveshjes Financiare nga Kuvendi i Kosovës, projektet do të nisin zbatimin.
Sipas Kurtit, fondet do të orientohen në gjashtë fusha prioritare: 44 milionë euro për mjedisin dhe klimën, 34.5 milionë euro për sektorin e energjisë, 30.5 milionë euro për menaxhimin e kufijve dhe migrimin, 31.8 milionë euro për konkurrueshmërinë, arsimin dhe punësimin, 24.7 milionë euro për qeverisjen e mirë dhe përafrimin me Bashkimin Evropian, si dhe 15 milionë euro për sundimin e ligjit.
Ai theksoi se rreth gjysma e mjeteve do të investohen në projekte infrastrukturore, ndërsa shumica e tyre do të realizohen në bashkëpunim me partnerë zhvillimorë dhe me bashkëfinancim nga institucionet e Kosovës.
Po ashtu, Kurti njoftoi se janë miratuar edhe tre grante në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), në vlerë totale prej 25.9 milionë euro.
Sipas tij, grantet përfshijnë asistencë teknike për përgatitjen e investimit në Hidrosistemin Ibër-Lepenc, asistencë teknike për përgatitjen e segmentit të autostradës Qafë e Duhlës–Banullë, si dhe një grant investues prej 24.3 milionë euro për ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Podujevë, projekt që do të realizohet në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Në fund të njoftimit, Kurti falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen, duke theksuar se fondet do të shfrytëzohen në funksion të qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik e infrastrukturor të vendit.
