Fushata zhgënjyese e Senegalit në Kupën e Botës 2026 nuk u shoqërua vetëm me eliminimin e hershëm nga turneu, por edhe me tensione të brendshme në dhomat e zhveshjes, ku në qendër të raportimeve janë dy nga yjet më të mëdhenj të ekipit, Sadio Mane dhe Kalidou Koulibaly.
Sipas Foot Mercato, mosmarrëveshjet kishin nisur që para fillimit të turneut dhe lidhen me mosftesën e mbrojtësit Malang Sarr në listën përfundimtare të Senegalit.
Pavarësisht paraqitjeve të mira me Lens gjatë sezonit, Sarr u la jashtë skuadrës dhe u përfshi vetëm në listën e rezervave.
Raporti thekson se trajneri Pape Thiaw zhvilloi bisedime me disa prej liderëve të ekipit, përfshirë Kalidou Koulibaly, Edouard Mendy dhe Idrissa Gana Gueye, për situatën e Sarr para nisjes së Kupës së Botës.
Burimet bëjnë të ditur se Sadio Mane ishte pro përfshirjes së Sarr në listën përfundimtare, ndërsa Koulibaly ishte kundër kësaj ideje, duke krijuar përplasjen e parë mes dy figurave më me ndikim të kombëtares senegaleze.
Sipas të njëjtit raport, tensionet u përshkallëzuan një natë para ndeshjes hapëse ndaj Francës.
Mane besohet se kishte shprehur dyshime për gjendjen fizike të Koulibalyt, i cili kishte mbërritur në turne me një dëmtim, dhe kishte sugjeruar që vendin e tij në formacion ta zinte Malang Sarr.
Ky propozim, gjithmonë sipas raportimeve, nuk u prit mirë nga mbrojtësi i Al Hilal, duke përkeqësuar më tej marrëdhëniet mes dy veteranëve të ekipit.
Këto raportime vijnë pas eliminimit të Senegalit në fazën e 1/16 së finales të Kupës së Botës, pas humbjes ndaj Belgjikës.
Gjithashtu, ato pasojnë zërat për pakënaqësi më të gjera brenda Federatës së Futbollit të Senegalit, ku janë ngritur pikëpyetje si për menaxhimin e turneut nga federata, ashtu edhe për vendimet e trajnerit Pape Thiaw gjatë gjithë fushatës. /Telegrafi/
