Përfaqësuesi i Shoqatës së Fermerëve Kosovarë të Qumështit tha se protesta është organizuar në mbështetje të fermerëve vendorë, të cilët, sipas tij, po përballen me një situatë të rëndë.
“Ne jemi prodhues të këtij vendi dhe prodhojmë qumësht për këtë vend. Për vite me radhë kemi kërkuar masa mbrojtëse, por nuk kemi gjetur përkrahjen e nevojshme”, u shpreh ai, duke thënë se qumështi që prodhojnë nuk është helm.
Ai kërkoi nga institucionet që të ndalin importin e qumështit me çmime të subvencionuara nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit, duke thënë se kjo po e dëmton rëndë prodhimin vendor.
Sipas tij, gjendja është bërë alarmante, pasi fermerët tashmë katër ditë nuk kanë ku ta dorëzojnë qumështin.
“Sot bëhen katër ditë që nuk kemi ku ta dorëzojmë qumështin. Kërkesa jonë urgjente është që grumbullimi i qumështit të fillojë menjëherë, që nga ky moment. Fermerët duhet të mbrohen”, deklaroi ai.
Ai shtoi se edhe kompania Vita është kompani e Kosovës dhe jo e Serbisë, ndërsa përsëriti kërkesën që Qeveria të ndërhyjë urgjentisht dhe të ndalojë importin e qumështit nga vendet e rajonit për të mbrojtur prodhuesit vendorë.
Protestuesit kanë sjellë traktorë para objektit të ministrisë, ndërsa në shenjë revolte kanë derdhur qumësht në hyrje të institucionit dhe kanë larë me qumësht dritaret e objektit.
Ata gjithashtu kanë tentuar të fusin qumësht edhe brenda ndërtesës së Ministrisë, por nuk janë lejuar nga Policia e Kosovës./Telegrafi/
