Klubi anglez refuzon çdo negociatë për kapitenin e tyre, duke e konsideruar pjesë kyçe të projektit të sezonit të ardhshëm.
Sunderland i ka bërë të qartë Chelseat se ylli kosovar, Granit Xhaka, nuk është në shitje pavarësisht interesimit serioz dhe dy ofertave të dorëzuara nga klubi londinez gjatë këtij afati kalimtar.
Sipas burimeve pranë klubit, Sunderland ka refuzuar menjëherë të dy propozimet e Chelseat, duke mos hyrë fare në fazë negociatash apo diskutimi për një shifër të mundshme transferimi.
Qëndrimi i klubit është i prerë, Xhaka mbetet lojtar i paprekshëm dhe çdo tentativë për ta larguar është e mbyllur që në fillim.
Xhaka shihet si një element kyç në projektin e ri sportiv të Sunderland, veçanërisht me skuadrën që synon të jetë konkurruese në sezonin e ardhshëm dhe të përfitojë nga pjesëmarrja në garat evropiane.
Eksperienca, lidershipi dhe stabiliteti që Xhaka sjell në mesfushë konsiderohen të pazëvendësueshme nga stafi teknik.
Chelsea, nga ana tjetër, kishte shfaqur interes konkret për të përforcuar mesfushën me një profil lideri dhe me përvojë në nivele të larta evropiane, por ky operacion tashmë konsiderohet i dështuar, pasi Sunderland ka mbyllur çdo derë për negociata.
Në këtë fazë, burimet raportojnë se çdo kontakt mes palëve është ndërprerë dhe klubi anglez nuk ka ndërmend të shqyrtojë asnjë ofertë të ardhshme, pavarësisht shumës që mund të paraqitet në tavolinë.
Xhaka pritet të mbetet një nga figurat kryesore të Sunderland për sezonin e ardhshëm, ndërsa klubi po ndërton skuadrën rreth tij si një shtyllë e projektit afatgjatë. /Telegrafi/
