Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka pretenduar se qeverisja e Përparim Ramës ka propozuar tarifa të reja për automjetet që qarkullojnë në zonat brenda unazës së brendshme të kryeqytetit.
Në një postim në Facebook, Sveçla ka thënë se një banor i Kodrës së Trimave, i cili udhëton me veturë drejt Dardanisë përmes Xhamisë së Llapit, Qafës, rrugës “Luan Haradinaj” dhe Lakrishtes, do të paguante 2 euro në ditë.
Sipas tij, e njëjta tarifë do të aplikohej edhe për banorët e lagjeve të tjera që lëvizin me vetura në zona brenda unazës së brendshme, pa qenë rezidentë të asaj zone.
“Pra, çdo qytetar që kalon me veturë nëpër lagjet brenda unazës së brendshme, pa qenë banor rezident i asaj zone, do të duhet të paguajë 2 euro në ditë për të lëvizur në atë pjesë të qytetit”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka pretenduar se kjo është njëra nga tarifat e reja të propozuara nga qeverisja Rama, për të cilat pritet të votohet në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Prishtinës më 17 shtator.
Komuna e Prishtinës ka publikuar më herët konsultimin publik për plotësim-ndryshimin e rregullores për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve në komunë. /Telegrafi/