Në fillim të këtij muaji, një raport nga Koreja e Jugut pretendonte se syzet inteligjente të Samsung-ut do të dilnin në treg në nëntor, duke iu referuar “një zyrtari të Samsung-ut”.
Por së fundmi, një raport i ri nga i njëjti vend zbulon se kur do të mund t’i blini realisht këto syze: në mesin e dhjetorit.
Megjithatë, kjo nuk është e gjitha; thuhet se fillimisht ato do të jenë të disponueshme për shitje vetëm në Korenë e Jugut dhe në SHBA, ndërsa Evropa, Kina dhe Japonia nuk përfshihen në fazën fillestare të lançimit.
Me sa duket, Samsung dëshiron të shohë reagimin e tregut korean dhe atij amerikan përpara se të zgjerohet në rajone të tjera – një qasje e ngjashme me atë që ndoqi për pajisjen e tij Galaxy XR.
Kjo e fundit u lansua në të njëjtat dy vende tetorin e kaluar, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar mbërriti vetëm në korrik të këtij viti.
Sipas raportit, çmimi i syzeve ende nuk është përcaktuar.
Siç kujtojnë mediat, syzet inteligjente funksionojnë me sistemin Android XR dhe Gemini; ato nuk kanë ekran, por janë të pajisura me kamerë, mikrofona dhe altoparlantë.
Ato mund të kryejnë përkthim në kohë reale, të ofrojnë udhëzime me zë, si dhe të fotografojnë dokumente apo takime, duke i organizuar automatikisht në aplikacionin “Notes” (Shënime) në telefonin tuaj Galaxy.
Në thelb të tyre qëndron çipi Snapdragon AR1 Gen 1, ndërsa Samsung premton deri në 9 orë përdorim me një karikim të vetëm.
Kornizat janë dizajnuar në bashkëpunim me Gentle Monster dhe Warby Parker. /Telegrafi/

