KORREKT / SOT2 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Policëve u kërkohet t’i huazojnë kapelat për kadetët, ndërsa në Policinë e Kosovës vazhdojnë ndryshimet në udhëheqje

Policëve u kërkohet t’i huazojnë kapelat për kadetët, ndërsa në Policinë e Kosovës vazhdojnë ndryshimet në udhëheqje

Policia e Kosovës po përballet me probleme të furnizimit me uniforma, ndërsa njëkohësisht institucioni po kalon nëpër ndryshime të rëndësishme në strukturën drejtuese.

Sipas një raportimi të VOX Kosovës, zyrtarëve policorë u është kërkuar që t’i huazojnë kapelat për kadetët e gjeneratës së 63-të, në mënyrë që ato të përdoren gjatë ceremonisë së diplomimit.

Kjo vjen pasi ceremonia e diplomimit, e planifikuar fillimisht për 30 tetor, ishte shtyrë deri më 6 nëntor, për shkak të mungesës së uniformave dhe pajisjeve të nevojshme.

Në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, më 27 prill kishte nisur trajnimi i 412 kadetëve të kësaj gjenerate.

Problemet me furnizimin e uniformave nuk janë të reja. Sindikata e Policisë së Kosovës ka ngritur vazhdimisht shqetësime për këtë çështje.

Kryetari i sindikatës, Avdi Hoti, më 9 tetor kishte deklaruar se uniformat nuk janë shpërndarë në mënyrë të rregullt që nga viti 2021.

“Uniforma nuk është shpërndarë që nga viti 2021, ka pas shpërndarje vetëm aty ku ka pasur nevojë, por uniformë të rregullt, me shpërnda qysh është me rregullore deri më tani nuk ka pasur”, kishte deklaruar Hoti.

Ndryshimet në udhëheqjen e Policisë

Derisa çështja e furnizimit me uniforma vazhdon të mbetet problem, në Policinë e Kosovës po ndodhin edhe ndryshime në pozitat drejtuese.

Më 30 tetor, Gazmend Hoxha dha dorëheqje nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kërkesë të cilën e pranoi kryeministri Albin Kurti.

Me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në këtë pozitë, si ushtrues detyre, u caktua Fehmi Hoti.

Ndërkohë, më 2 nëntor, Veton Elshani konfirmoi se do të marrë drejtimin e Departamentit Kufitar të Policisë, pozitë të cilën deri më tani e mbante Fehmi Xhata.

Ky i fundit pritet të emërohet në krye të Departamentit të Hetimeve, një prej sektorëve më të rëndësishëm të Policisë së Kosovës.

Kështu, ndërsa kadetët presin diplomimin mes problemeve me uniforma, institucioni po vazhdon riorganizimin në disa prej pozicioneve kryesore drejtuese. /Lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.