KORREKT / SOT12 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Ymeri: KPMM-ja nuk i lejoi investitorët e huaj të bëjnë hulumtime për minerale, 140 aplikacione dhe asnjë licencë e dhënë

Ymeri: KPMM-ja nuk i lejoi investitorët e huaj të bëjnë hulumtime për minerale, 140 aplikacione dhe asnjë licencë e dhënë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), duke e akuzuar për bllokim të investimeve të huaja në sektorin e minierave dhe mineraleve.

Duke folur në Kuvendin e Kosovës, Ymeri ka thënë se KPMM-ja për vite me radhë nuk ka shqyrtuar dhe miratuar licencat për hulumtime të kërkuara nga investitorët e huaj, duke dëmtuar kështu mundësitë për zhvillimin e këtij sektori.

Ajo ka përmendur edhe të dhënat nga raportet e viteve 2023 dhe 2024, sipas të cilave, pavarësisht numrit të madh të aplikacioneve të pranuara, nuk është lëshuar asnjë licencë.

“Ky është edhe raporti për vitin 2023, 39 aplikacione janë pranu, zero janë dhënë. Në 2024, 101 janë pranu, zero janë leje të lëshuara. Gjithashtu, aq është paaftësia e bordit evidente saqë 31 rezultate po e shoh që janë aplikacione të rekomanduara për bord”, ka deklaruar Ymeri.

Deputetja e LDK-së ka thënë se institucionet nuk kanë luksin të mos i shqyrtojnë kërkesat për investime të huaja në këtë sektor, duke përmendur edhe rastin kur, sipas saj, një përfaqësie diplomatike i është thënë se Kosovës nuk i nevojiten hulumtimet nga investitorët e huaj, pasi ato mund t’i kryejë vetë.

“Pata me fol për Komisionin për Miniera dhe Minerale. Nuk mendoj se e keni luksin mos t’i shqyrtoni licencat për hulumtime nga investitorët e huaj. Kjo gjë po ndodh që disa vite në KPMM. Keni shku deri në atë pikë sa njërës nga përfaqësive diplomatike i keni thënë: nuk na duhen neve hulumtimet prej investitorëve të huaj se i bëjmë vetë”, është shprehur ajo.

Ymeri ka kritikuar edhe ministren përgjegjëse, duke thënë se pavarësisht udhëtimeve dhe takimeve me drejtuesit e KPMM-së, nuk janë shtyrë përpara investimet në miniera dhe minerale.

Ajo ka vlerësuar se zhvillimi i këtij sektori është i rëndësishëm për ekonominë e vendit, pasi të hyrat nga minierat dhe mineralet do të mund të përdoreshin për investime në arsim dhe shëndetësi.

“Ministrja shkon në udhëtime me kryetarin e KPMM-së dhe nuk diskuton me i dërgu përpara investimet në miniera dhe minerale që për ne janë e vetmja shpresë që të kemi para për investime në arsim dhe në shëndetësi, ku nuk ka as barna e le më pajisje tjera”, ka thënë Ymeri.

Deputetja ka bërë të ditur se, sipas saj, për shkak të mungesës së hapësirës për investime të huaja, investitorët u janë drejtuar për ndihmë edhe përfaqësuesve të LDK-së, me qëllim që t’i adresojnë shqetësimet e tyre te institucionet qeveritare.

Ajo ka kritikuar qasjen e institucioneve ndaj investimeve të huaja, duke e krahasuar atë me izolimin ekonomik të së kaluarës.

“Nuk jeni në kohën e Enver Hoxhës ku e izoloni shtetin dhe nuk e leni kënd të marrë pjesë në hulumtime për miniera dhe minerale”, ka deklaruar Ymeri.

Kritikat e saj janë shtrirë edhe te sektori i thëngjillit. Sipas Ymerit, në raportet përkatëse thuhet se për shkak të implikimeve nga Qeveria nuk është lejuar të bëhen analiza të mëtejshme për thëngjillin.

Ajo ka thënë se Kosova po dështon të shfrytëzojë potencialin e saj në këtë sektor, ndërkohë që përballet me probleme të furnizimit me energji elektrike dhe mungesë investimesh.

“Kemi mbet tu flejt në thëngjill, pa rrymë, por edhe pa investime në miniera dhe minerale”, ka thënë deputetja e LDK-së.

Në fund, Ymeri ka vënë në pikëpyetje kapacitetet e institucioneve për të menaxhuar sektorët bazë të shtetit, duke kritikuar pretendimet se Kosova mund t’i kryejë vetë hulumtimet pa pasur nevojë për investitorë të jashtëm.

Ajo ka kërkuar që institucionet të krijojnë kushte për investime dhe të mos pengojnë zhvillimin e sektorit minerar, të cilin e ka cilësuar si një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës. /Lajmi.net/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.