Është sërish koha e kthimit në shkollë dhe mësuesit, së bashku me sindikatat e tyre, po rikthejnë në qendër të debatit pagat e pandryshuara prej vitesh dhe mungesën e vazhdueshme të stafit. Por cilat vende i paguajnë mësuesit më mirë?
Pagat e stafit arsimor, veçanërisht të mësuesve dhe drejtuesve të shkollave, përbëjnë shpenzimin më të madh në arsimin formal, raporton euronews.
Megjithatë, në shumicën e vendeve evropiane, mësuesit konsiderohen shpesh të nënpaguar në raport me nivelin e tyre të arsimimit.
Sipas disa studimeve, pagat fillestare të mësuesve janë rreth 40 për qind më të ulëta se të ardhurat e profesionistëve të tjerë me arsim të lartë.
Edhe pse kjo diferencë ngushtohet me rritjen e pagave gjatë karrierës, një dallim i madh gjeografik vazhdon të jetë i dukshëm në Evropë.
Në vitin shkollor 2024/2025, Luksemburgu ishte vendi i BE-së që upaguante mësuesve pagat më të larta në shumicën e niveleve të arsimit, si në fillim, ashtu edhe në kulmin e karrierës së tyre.
Këto të dhëna janë publikuar nga Eurydice, rrjeti evropian i informacionit për arsimin, i financuar nga Komisioni Evropian.
Luksemburgu kryesonte bindshëm sa i përket pagave të mësuesve. Në fillim të karrierës, ata paguheshin nga 55 mijë deri në 62 mijë euro në vit, ndërsa në kulmin e karrierës pagat arrinin nga 97 mijë deri në 109 mijë euro.
Pas Luksemburgut, Holanda dhe Gjermania renditeshin ndër vendet me pagat më të larta, në varësi të nivelit të arsimit dhe fazës
së karrierës së mësuesve.
Në anën tjetër të renditjes ishin Sllovakia, Çekia dhe Hungaria, ku mësuesit kishin pagat më të ulëta në fund të karrierës.
Në Sllovaki, pagat vjetore varionin nga 18 mijë deri në 22 mijë euro, në varësi të nivelit të arsimit. Në Hungari dhe Çeki, ato arrinin
deri në 27 mijë euro.
Sa u përket pagave në fillim të karrierës, Greqia dhe Sllovakia renditeshin në fund të listës, me paga vjetore që nuk i kalonin
17 mijë euro.
Sa vite u duhen mësuesve për të arritur kulmin e karrierës?
Përparimi në karrierë lidhet shpesh me rolin dhe përgjegjësitë e mësuesve, vitet e përvojës, moshën, nivelin e kualifikimit dhe performancën e tyre.
Sipas Eurydice, në 11 vende të Bashkimit Evropian mësuesve u duhen nga 31 deri në 40 vjet për të arritur nivelin më të lartë të karrierës, në varësi të nivelit të arsimit ku japin mësim.
Vetëm në Danimarkë dhe Finlandë mësuesit mund të arrijnë kulmin e karrierës brenda 10 vjetësh, gjithashtu në varësi të nivelit
të arsimit ku punojnë.
Ndërsa mësuesit përparojnë në karrierë, rriten edhe pagat e tyre. Kjo konsiderohet një faktor i rëndësishëm për ta bërë profesionin
më tërheqës dhe për të mbajtur profesionistët në sistemin arsimor.
Përfitues nuk janë vetëm mësuesit. Sipas një studimi të OECD-së të vitit 2025, pagat më të larta për mësuesit priren të ndikojnë pozitivisht edhe në rezultatet e nxënësve.
Të dhënat e Eurydice tregojnë se Qiproja, Portugalia, Holanda dhe Sllovenia janë vendet e BE-së ku mësuesit përfitojnë rritjen më të madhe të pagës, nga fillimi deri në kulmin e karrierës.
Debati për pagat e mësuesve dhe përparimin e tyre në karrierë është rikthyer edhe në Francë. Ministria e Arsimit deklaroi së fundmi se një mësues i arsimit publik në Francë kishte marrë mesatarisht 3,090 euro neto në muaj gjatë vitit 2024.
Megjithatë, kjo shifër përfaqëson mesataren e mësuesve me statuse të ndryshme profesionale, përfshirë mësuesit e shkollave, mësuesit e certifikuar, profesorët e asociuar dhe profesorët me gradat më të larta.
Për më tepër, në këtë mesatare nuk përfshihen mësuesit me kontratë, të cilët përbëjnë rreth 8 për qind të stafit mësimor dhe janë njëkohësisht edhe grupi me pagat më të ulëta.
Ndërkohë, mësuesit francezë renditen ndër pesë vendet e BE-së ku pagat nuk kanë arritur të ecin me të njëjtin ritëm me rritjen
e kostos së jetesës.Sipas Eurydice, pagat e tyre ranë me 0.61 për qind mes viteve shkollore 2023/2024 dhe 2024/2025.
Në BE, vetëm Rumania (-6.34%), Sllovakia (-4.07%), Italia (-1.60%) dhe Komuniteti Francez i Belgjikës (-0.71%) shënuan rënie më të madhe të pagave të mësuesve se Franca. /Telegrafi/