France Football ka reaguar pas polemikave të krijuara nga votimi për BOAT (Ballon d’Or of All Time), iniciativë e lansuar për të zgjedhur sezonin më të mirë individual në historinë e fituesve të Topit të Artë.
Organizatorët kanë sqaruar se ky votim nuk ka të bëjë me Super Topin e Artë dhe se fituesi nuk do të marrë asnjë trofe fizik apo çmim zyrtar gjatë ceremonisë.
Rezultatet përfundimtare do të publikohen më 28 tetor.
Ronaldo në krye, Messi pas tij
Në votimin e publikut, Cristiano Ronaldo kryeson me sezonin e tij të vitit 2008, kur fitoi Topin e Artë me Manchester Unitedin.
Portugezi ka grumbulluar 75 për qind të votave, ndërsa pas tij renditen dy sezone të Lionel Messit: viti 2012, kur argjentinasi shënoi 91 gola gjatë vitit kalendarik, dhe viti 2013.
Të dyja këto edicione kanë nga 9 për qind të votave, sipas të dhënave të publikuara nga mediat.
Çfarë dallimi ka mes BOAT dhe Super Topit të Artë?
BOAT është një votim publik ku tifozët zgjedhin sezonin më të mirë individual mes dhjetë futbollistëve që e kanë fituar Topin e Artë të paktën dy herë.
Çdo votë kushton një euro dhe nuk ka kufizim të numrit të votave.
Ndryshe nga kjo iniciativë, Super Topi i Artë është një trofe historik zyrtar, i ndarë vetëm një herë, në dhjetor të vitit 1989.
Atë e fitoi legjenda e Real Madridit, Alfredo Di Stéfano, duke lënë pas emra si Johan Cruyff dhe Michel Platini.
Deri më sot, nuk është caktuar një datë për ndarjen e një trofeu të dytë të këtij lloji. /Zëri

