Kombëtarja e Kosovës pritet të paraqitet pa portierin Arijanet Muriq në ndeshjen miqësore ndaj Andorrës, pasi gardiani “dardan” po përballet me një lëndim dhe ende nuk është marrë vendim përfundimtar nëse do të lirohet nga grumbullimi.
Në anën tjetër, portieri i dytë Amir Shaipi nuk është ftuar fare, çka e bën Visar Bekajn kandidatin kryesor për ta nisur ndeshjen nga minuta e parë kundër Andorrës.
Ndërkohë, Kosovës i është bashkuar edhe portieri i Kosovës U21, Altin Gjokaj, i cili është thirrur si opsion shtesë në repartin e portës.
Bekaj ka folur edhe për paraqitjen e Kosovës në miqësoren e parë ndaj Çekisë në Pragë, e cila përfundoi me humbjen 2-1.
“Në pjesën e parë ndoshta nuk kemi luajtur shumë mirë, por në pjesën e dytë jemi rikthyer. Janë ndeshje testuese dhe po besoj që disa lojtarë mund të vijnë në shprehje, të cilët nuk kanë ardhur më herët. Ndeshja me Andorrën ndoshta duket e lehtë në letër, por nuk ka kundërshtar të lehtë në arenën ndërkombëtare. Duhet të fokusohemi, të japim 100% nga vetja dhe në fund e shohim rezultatin”, ka thënë Bekaj.
Portieri 29-vjeçar, i cili është pjesë e Tiranës, ka shprehur dëshirën që ta marrë shansin në këtë ndeshje, duke theksuar se është nder të përfaqësosh Kosovën.
“E kam thënë shumë herë që është nder të jesh pjesë e kombëtares, pastaj po të erdhi rasti mirë, nëse jo…”, u shpreh Bekaj, i cili me fanellën e Kosovës ka nëntë paraqitje.
Kosova ka vazhduar përgatitjet për duelin me Andorrën, ndërsa Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur se futbollistët po punojnë me “përkushtim dhe seriozitet maksimal” në seancat stërvitore. /Telegrafi/
