Situata në disa komuna të Kosovës është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimeve, duke shkaktuar dëme serioze në ekonomi, infrastruktura publike dhe bujqësi.
Komunat kanë njoftuar se situata është alarmante në lumin Mirusha në Malishevë, ku diga është në gjendje të rrezikshme dhe kërcënon jetën dhe pronat e qytetarëve.
Në një prononcim për Telegrafin, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka theksuar se komunat nuk kanë kapacitetet financiare për të përballuar dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe ka kërkuar krijimin urgjent të një Fondi Emergjent për Komuna.
“Gjatë ditës së sotme isha në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarët e komunave të Gjakovës, Drenasit, Malishevës, Deçanit, Suharekës, Rahovecit, Klinës, Junikut dhe komunave të tjera të prekura nga vërshimet. Nga informacionet e pranuara dhe vlerësimet në terren, dëmet janë serioze, si për ekonomitë familjare dhe bizneset, ashtu edhe në mënyrë shumë më shqetësuese për infrastrukturën publike. Si AKK kemi kërkuar dhe kërkojmë themelimin e menjëhershëm të Fondit Emergjent për Komuna, si mekanizëm i përhershëm që u mundëson komunave reagim të shpejtë në raste fatkeqësish natyrore”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka shtuar se komunat janë institucionet e para në terren që reagojnë gjatë fatkeqësive natyrore.
“Pa fond emergjent, reagimi vonohet, rrezikohen jetët e qytetarëve, rriten dëmet materiale,” tha Ibrahimi, duke nënvizuar nevojën për një mekanizëm të përhershëm që mundëson reagim të shpejtë dhe profesional në raste emergjencash.
Ibrahimi ka rikujtuar se komunat nuk kanë buxhet për t’i mbuluar dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë tjera, duke shtuar se për këtë arsye niveli qendror duhet të lejojë rishikimin e buxheteve komunale dhe të sigurojë fonde të menjëhershme.
“Është e rëndësishme të theksohet se komunat kanë intervenuar me mjete vetanake për parandalimin dhe menaxhimin e situatave emergjente. Megjithatë, ekonomitë familjare dhe bizneset nuk janë kompensuar plotësisht, madje as për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë në vitet e kaluara. Një shembull konkret është komuna e Drenasit, ku nga reshjet e para disa viteve janë dëmtuar shtatë (7) ura, dhe deri më sot nuk ka pasur ndërhyrje për sanimin e tyre. Kjo gjendje është e papranueshme dhe tregon qartë dështimin e mekanizmave aktualë të kompensimit”, tha ai.
Ibrahimi shtoi se nëse kuvendet komunale, mbi bazën e vlerësimeve profesionale të komisioneve komunale, miratojnë vendime për dëmet dhe kompensimin, atëherë niveli qendror duhet t’i ekzekutojë këto vendime.
“Në rast se niveli qendror nuk u beson këtyre vlerësimeve, atëherë le të formojë komisione vlerësuese nga niveli qendror, por vlerësimet e tyre duhet të ekzekutohen, e jo të mbesin peng i procedurave burokratike që zgjasin me vite. Nuk mund të vazhdojmë të kemi situata ku dëmet mbesin të pakompensuara për vite të tëra, ndërsa qytetarët dhe komunat mbajnë barrën financiare të fatkeqësive natyrore. Kjo gjendje duhet dhe duhet të ndryshojë”, u shpreh Ibrahimi. /Telegrafi/