Presley Gerber, djali i supermodeles Cindy Crawford dhe biznesmenit Rande Gerber, ka ndërruar jetë në moshën 27-vjeçare.
Sipas të dhënave të Mjekut Ligjor të Qarkut të Los Angeles, Gerber ndërroi jetë të dielën në një qendër rehabilitimi.
Shkaku i vdekjes nuk është bërë i ditur. Familja, përmes një përfaqësueseje, ka kërkuar privatësi gjatë kësaj periudhe të vështirë, shkruan BBC.
Presley ndoqi rrugën e nënës dhe motrës së tij, Kaia Gerber, duke nisur karrierën si model që në moshën 16-vjeçare.
Ai debutoi në pasarelë për Moschino dhe më vonë bashkëpunoi me marka të njohura si Burberry, Dolce & Gabbana dhe Bottega Veneta.
Në vitet e fundit, Presley kishte folur publikisht për vështirësitë me shëndetin mendor dhe përdorimin e drogës.
Në vitin 2023, ai tregoi se kishte kaluar periudha me depresion dhe probleme të tjera të shëndetit mendor, duke thënë se shpresonte që rrëfimi i tij të ndihmonte të tjerët që përballeshin me të njëjtat vështirësi.
Edhe motra e tij, Kaia, kishte folur së fundmi për problemet e vëllait me varësinë. Në një intervistë për American Vogue, ajo tregoi se vështirësitë e Presley-t kishin ndikuar në të gjithë familjen dhe se për këtë arsye ajo kishte krijuar prirjen për të mos kërkuar ndihmë për veten.
Nëna e Presley-t, Cindy Crawford, është një nga supermodelet më të njohura të viteve të 90-ta, ndërsa babai i tij, Rande Gerber, është biznesmen dhe bashkëthemelues i markës së tekilës Casamigos. /Telegrafi/