Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava” ka njoftuar konsumatorët në disa zona të Komunës së Kamenicës se uji nga rrjeti publik i ujësjellësit aktualisht nuk është i përshtatshëm për pije.
Sipas njoftimit zyrtar, si pasojë e rritjes së vlerës së nitrateve në ujë, ka ardhur deri te ndryshimi i parametrave kimikë, çka bën që uji të mos i plotësojë standardet për ujë të pijshëm. Zonat e prekura janë Stacioni i Pompimit nr. 2, lagjja Bahqja dhe fshati Berivojcë.
Nga KRU “Hidromorava” theksohet se, deri në një njoftim të radhës dhe pas normalizimit të gjendjes si dhe konfirmimit të cilësisë së ujit, konsumatorët nuk duhet ta përdorin ujin nga rrjeti publik për pije.
Uji mund të përdoret vetëm për nevoja teknike, si larje, sanitare dhe përdorime të tjera që nuk përfshijnë konsum njerëzor.
KRU “Hidromorava” u bën thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe siguron se do t’i njoftojë me kohë konsumatorët sapo të krijohen kushtet që uji të jetë i sigurt për pije. /Telegrafi/