Vërshimet që kanë ardhur si pasojë e të reshurave, kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në lagjen “2 Korriku”, në Mitrovicë.
Aty afër 22 familje janë evakuuar, pasi uji nga lumi Sitnica i ka hyrë në shtëpitë e tyre.
Përfaqësuesi i komunitetit ashkalinjë në komunën e Mitrovicës, Bashkim Krasniqi ka treguar për KosovaPress, se si është gjendja në lagjen “2 Korriku”, për banorët.
“Tash prej dje jemi duke u marrë me familjet që janë përfshirë nga lumi Sitnica, afro 22 familje janë përfshirë brenda një metër katrorë të shtëpive. Katër familje i kemi në ‘Hotel Park’ tash pritet me bisedu edhe me dy që po duan me shku, edhe ata se nuk kanë ku me u strehu, e kështu është gjendja. Tjerat familje i kemi nëpër kojshi, familjarë, miq e kështu. Gjendja alarmante, jeni edhe ju këtu duke e përcjellë situatën se si është d.m.th banorët janë tmerr. Po kemi pasur me shtabin emergjent, me drejtori të ndryshme, kemi biseduar, jemi tash duke i prit, jemi duke kërkuar edhe çizme, edhe ushqimin për hotel për familjarët. Komuna është e gatshme me ju dalë në ndihmë, por i bëjë apel kuvendit komunal se pasi që të stabilizohet lumi, atëherë me dal me i bërë vlerësimet e familjarëve”, tha ai.
Krasniqi pret që dëmet në këtë lagje të vlerësohen dhe se Komuna e Mitrovicës t’i dal në ndihmë.
“Këtu kemi telashe për çdo vit, nuk është hera e parë që e merr këtë pjesë, për çdo vit merremi me këto probleme….Janë evakuuar familjaret, zjarrfikësit, policia, kryetari besa ka qenë aktiv shumë kësaj here presim prej kryetarit që të merr masa urgjente për rregullimin e murit në lumin Sitnica dhe me i kompenzu edhe familjaret se shumica e këtyre këtu jetojnë me social. Tash pasi që stabilizohet uji, atëherë kemi telashe shumë të mëdha se familjarët nuk kemi ku me i strehu brenda e duhet me prit një kohë deri sa t’i vendosim familjaret nëpër shpija. Atëherë e merr vendimin kryetari me drejtori të ndryshme edhe del komisioni për vlerësim që e vlerëson dëmin edhe besoj që prej kryetarit ka me dal ndihmë”, ka thënë Krasniqi. /Kp/