UEFA ka publikuar vendimet e fundit të Organit të Kontrollit Financiar të Klubeve (CFCB), ku ndër klubet e sanksionuara për detyrime të papaguara figuron edhe klubi kosovar Ballkani.
Sipas njoftimit zyrtar të UEFA-s, Ballkani është gjobitur me 200 mijë euro për shkak të detyrimeve të prapambetura ndaj klubeve të tjera, punonjësve ose autoriteteve tatimore dhe sociale gjatë sezonit 2025/26.
Përveç gjobës financiare, klubi nga Suhareka ka marrë edhe një paralajmërim serioz nga UEFA. Për shkak të rrethanave rënduese, që përfshijnë përsëritjen e shkeljeve dhe vonesa të detyrimeve për më shumë se 90 ditë, Ballkanit i është shqiptuar një masë e pezulluar për përjashtim nga garat evropiane.
Kjo do të thotë se Ballkani mund të përjashtohet nga kompeticionet e UEFA-s për të cilat kualifikohet në të ardhmen, nëse gjatë sezoneve 2026/27 dhe 2027/28 përsëriten probleme të ngjashme financiare. Përjashtimi është pezulluar për një periudhë prove prej dy sezonesh.
Vendimi paraqet një sinjal alarmi për klubin kosovar, i cili vitet e fundit ka qenë përfaqësuesi më i suksesshëm i futbollit të Kosovës në arenën evropiane, duke arritur disa herë në fazat grupore të garave të UEFA-s.
Përveç Ballkanit, UEFA ka gjobitur edhe disa klube të tjera evropiane. CFR Cluj nga Rumania është dënuar gjithashtu me 200 mijë euro dhe ka marrë të njëjtën masë të pezulluar për përjashtim. Buduçnost Podgorica është gjobitur me 95 mijë euro, Ordabasy Shymkent me 75 mijë euro, Sarajevo me 20 mijë euro dhe Athletic Bilbao me 10 mijë euro.
Paralajmërimi nga UEFA për Ballkanin
Ndërkohë, Dinamo Batumi nga Gjeorgjia është përjashtuar nga kompeticionet evropiane për herën e ardhshme që siguron kualifikimin, pas mosrespektimit të vendimeve të mëparshme të UEFA-s. /Telegrafi/
