Një eksperte e divorcit ka shkaktuar debat në rrjetet sociale me pretendimin se disa burra e përdorin qëndrimin e gjatë në tualet si mënyrë për t’iu shmangur përgjegjësive familjare.
Olivia Howell, autore dhe podkastere, pretendon në një artikull të publikuar në Substack se disa burra, sapo kthehen në shtëpi, izolohen në banjë për periudha të gjata, duke shmangur kohën me familjen dhe detyrimet e përditshme.
Sipas saj, telefonat inteligjentë e kanë bërë këtë sjellje edhe më të lehtë, pasi gjatë qëndrimit në tualet mund të shfletojnë rrjetet sociale, të shikojnë video, të luajnë lojëra apo të merren me aktivitete të tjera.
Howell e përshkruan tualetin si një “arratisje” nga përgjegjësitë e shtëpisë, pasi askush nuk mund ta kundërshtojë lehtësisht justifikimin se duhet të përdorë banjën, shkruan Lad Bible, transmeton Klankosova.tv.
Artikulli shkaktoi reagime të ndara. Disa e konsideruan pretendimin të ekzagjeruar, duke argumentuar se përdorimi i tualetit është një nevojë natyrore, ndërsa të tjerë e pritën me humor, duke e quajtur këtë fenomen “përdorim të jashtëqitjes si armë”.
Përtej debatit, ekspertët paralajmërojnë se qëndrimi për një kohë të gjatë në tualet mund të rrisë rrezikun e hemorroideve. Ndërsa më pak se tri jashtëqitje në javë, veçanërisht kur shoqërohen me dhimbje ose vështirësi, mund të jenë shenjë e kapsllëkut.

