Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka dërguar një letër falënderimi ish-Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, me rastin e përfundimit të mandatit të saj.
Lajmi u bë publik nga vetë Osmani përmes një postimi, ku theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të forta mes Kosovës dhe SHBA-ve.
Në reagimin e saj, Osmani u shpreh se “lidhjen e fortë të Kosovës me Amerikën do ta ruajmë bashkë, sot e përherë”, duke falënderuar Trump për letrën dhe vlerësimin ndaj punës së institucioneve të Kosovës.
Ajo shtoi se mirëpret vazhdimin e bashkëpunimit në vitet në vijim.
“Falënderoj Presidentin Trump për letrën e dërguar në përfundim të mandatit tim, të cilën e pranova mbrëmë, si dhe për vlerësimin që i ka bërë punës sonë! Ashtu siç thekson edhe Presidenti i SHBA-ve këtë letër, mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit në vitet në vijim”, ka shkruar Osmani.
Në letrën e dërguar nga Shtëpia e Bardhë, Trump vlerëson lidershipin e Osmanit, duke e cilësuar atë si të guximshëm dhe vendimtar në shërbim të qytetarëve të Kosovës.
Ai e falënderon për bashkëpunimin e ngushtë gjatë periudhës së mandatit dhe thekson se Kosova ka luajtur një rol të rëndësishëm në nismat për paqe dhe stabilitet.
Trump përmend veçanërisht bashkëpunimin në kuadër të nismave për paqe, duke nënvizuar se përfshirja e Kosovës është premtuese për përfundimin e konflikteve dhe promovimin e lirisë dhe mirëqenies.
Në vijim të letrës ai shpreh bindjen se trashëgimia e Osmanit do të ndikojë në të ardhmen e Kosovës, rajonit të Ballkanit dhe më gjerë në Evropë.
Presidenti amerikan shton se Kosova ka qenë një partnere e besueshme e SHBA-ve dhe shpreh dëshirën për vazhdimin e bashkëpunimit në vitet në vijim. /Telegrafi/