Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka nënshkruar kontratë për furnizim me dronë, të cilët do të përdoren për vëzhgimin dhe menaxhimin e situatave emergjente.
Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës, pajisjet e reja do të shfrytëzohen nga njësitë profesionale të zjarrfikjes dhe kërkim-shpëtimit, me qëllim të mbështetjes së tyre gjatë intervenimeve në raste emergjente, shkruan IndeksOnline.
Vlera e kontratës së nënshkruar është 118 mijë e 590 euro, ndërsa operatori ekonomik i përzgjedhur është kompania GJEO-PROJEKT SH.P.K. nga Rahoveci.
Në këtë aktivitet të prokurimit kanë qenë dy tenderë të pranuar, por vetëm njëri prej tyre është vlerësuar si i përgjegjshëm. Kontrata është dhënë përmes procedurës së hapur, ndërsa kriter për përzgjedhje ka qenë çmimi më i ulët.
Sipas dokumentit, vlera e parashikuar e kontratës ishte 137 mijë e 500 euro, ndërsa kontrata është nënshkruar më 12 nëntor 2026. Kohëzgjatja e kontratës publike kornizë është 26 muaj./IndeksOnline/

