Presidenti amerikan Donald Trump, presidenti kinez Xi Jinping dhe kreu i Kremlinit Vladimir Putin pritet të takohen javën e ardhshme në Kinë për një samit trepalësh.
Takimi do të zhvillohet të enjten në margjinat e forumit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Shenzhen të Kinës. Ky do të jetë takimi i parë i këtij lloji. Deri më tani, mes fuqive bërthamore janë zhvilluar vetëm bisedime dypalëshe.
Nuk priten rezultate konkrete
Një zyrtar amerikan zbuti pritshmëritë se nga bisedimet për armët bërthamore do të dalin rezultate konkrete apo një marrëveshje. Sipas tij, takimi duhet parë më tepër si një hap i parë drejt negociatave të mëtejshme.
Trump ka përmendur vazhdimisht në të kaluarën mundësinë e një marrëveshjeje të re për çarmatimin. Marrëveshja New START, e nënshkruar në vitin 2010 midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, skadoi këtë vit. Ajo kufizonte numrin e kokave strategjike bërthamore dhe numrin e sistemeve të gatshme për lëshimin e tyre.
Një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se Trump do të ngrejë në takim edhe çështjen e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit. Ndërkaq, ai pritet të mos e trajtojë luftën e Rusisë kundër Ukrainës./DW

