Gjatë kontrollit të një dërgese të paraqitur për inspektim në emër të një subjekti, zyrtarët e ekzaminimit pranë ZBD Prizren kryen harmonizimin e dokumentacionit dhe më pas ekzaminimin fizik të mallrave.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook thuhet se kontrolli përfshiu verifikimin e origjinës, sasisë, përshkrimit dhe karakteristikave të tjera të dërgesës.
Ndërkaq, gjatë ekzaminimit u konstatuan pabarazi dhe deklarim i pasaktë në emërtimin e mallrave, çka rezultoi në dallim të vlerës së mallrave në shumën rreth 29,000 euro.
“Në bazë të këtyre gjetjeve, veprimet përbëjnë kundërvajtje doganore sipas Nenit 244 (pika 1.2) të Kodit Doganor Nr. 08/L‑247 — paraqitje e deklaratës me të dhëna të pasakta ose jo të plota dhe përshkrim të pamjaftueshëm të mallrave. Dogana e Kosovës vijon procedurat ligjore përkatëse dhe bashkëpunon me autoritetet për zbardhjen dhe ndëshkimin e shkeljeve, me qëllim mbrojtjen e ligjshmërisë dhe të konkurrencës së drejtë në treg”, thuhet në postim. /Telegrafi/