Një avion i kompanisë ajrore British Airways është filmuar teksa bishti i tij godet pistën gjatë përpjekjes për t’u ulur në aeroportin Heathrow të Londrës.
Pamjet tregojnë avionin e tipit Airbus duke prekur pistën me pjesën e pasme të trupit gjatë uljes.
Bëhet fjalë për fluturimin BA431, i cili po kryente itinerarin Amsterdam-Londër, sipas Telegraph.
Pas incidentit, pilotët vendosën të ndërpresin uljen dhe ta ngrenë sërish avionin në ajër.
Disa minuta më vonë, avioni u ul në mënyrë të sigurt në aeroport.
– YouTube www.youtube.com
British Airways ka nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e incidentit, ndërsa për ngjarjen është njoftuar edhe Dega e Hetimit të Aksidenteve Ajrore (AAIB) në Mbretërinë e Bashkuar.
Një zëdhënës i kompanisë ajrore deklaroi se avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe se British Airways po bashkëpunon me AAIB në hetimin e nisur.
“Avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe ne po bashkëpunojmë me AAIB në hetimin e tyre. Nuk mund të komentojmë më tej në këtë fazë”, u shpreh zëdhënësi. /Telegrafi/

