Erina, një grua transgjinore nga Prishtina, ka rrëfyer hapur për përvojën e saj personale, identitetin gjinor dhe rrugëtimin e tranzicionit gjatë një interviste në emisionin “Artistët Shqiptarë”, realizuar nga Butrint Pasjaqa.
Duke folur për fëmijërinë, Erina tregoi se që në moshë të hershme e ndiente veten ndryshe dhe se rreth moshës 10-vjeçare nisi ta kuptonte më qartë identitetin e saj.
“Që në fillime e dija që jam vajzë. Nuk e dija që jam djalë. Në moshën 10-vjeçare e kam kuptuar. Nuk e shihja dot veten në pasqyrë”, rrëfeu ajo.
Sipas Erinës, për një kohë të gjatë familja i kërkonte të sillej sipas pritshmërive që kishte për të si djalë, ndërsa ajo përpiqej t’u përshtatej kërkesave të të tjerëve.
“Familja më thoshte që duhet të sillesh si djalë. Ia bëja qejfin njerëzve, por erdhi koha që të sillesha siç e ndjeja”, u shpreh ajo.
Erina tregoi se nuk e kishte mbështetjen e familjes dhe se gjatë rritjes ishte përballur me ngacmime si në shkollë, ashtu edhe në shtëpi. Edhe pse ishte rritur në Zvicër, ajo tha se familja e saj ruante një mentalitet tradicional shqiptar.
Vendimi për të jetuar në përputhje me identitetin e saj gjinor solli edhe largimin nga familja. Erina tha se prej vitesh nuk ka kontakte me familjarët e saj.
“Prej 10 vitesh jam larguar nga shtëpia që kur mora vendimin që të ndërroja gjini. Familjarët nuk më kanë kërkuar kurrë, nuk e di ku janë. Mendoja: ‘Unë i kam humbur ata’, por tani që jam rehat me veten, mendoj se ata më kanë humbur mua”, tha ajo.
– YouTube youtu.be
Në moshën 27-vjeçare, Erina nisi procedurat mjekësore të afirmimit gjinor. Ajo tregoi se gjatë këtij procesi ka kryer disa ndërhyrje, përfshirë kirurgji gjenitale, ndërhyrje në fytyrë dhe gjoks, si dhe një procedurë në kordat vokale.
Sipas saj, vetëm ndërhyrja gjenitale ka kushtuar rreth 30 mijë euro, ndërsa shpenzimet e përgjithshme për procedurat që ka kryer kanë arritur afërsisht në 100 mijë euro.
Në rrëfimin e saj, Erina foli edhe për sfidat që ka kaluar ndër vite, marrëdhënien me familjen dhe procesin e gjatë të pranimit të vetes.
Sot, ajo thotë se ndihet më në paqe me veten, pas një rrugëtimi që e ka përshkruar si të vështirë, por vendimtar për jetën e saj. /Telegrafi/