Bashkimi Evropian ka theksuar se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon t’i pengojë të dyja palët në rrugën drejt integrimit evropian.
BE-ja ka riafirmuar mbështetjen për Dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga ajo, duke u bërë thirrje të dy vendeve që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe të shfrytëzojnë momentumin aktual politik për të arritur përparim konkret.
Në deklaratë pas samitit BE-Ballkani Perëndimor, BE-ja ka kërkuar zbatimin e plotë dhe pa vonesa të të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut. /Gazeta Express
Deklarata e plotë:
Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë të dy partnerët në rrugën e tyre drejt Evropës. Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun Beograd–Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë dhe mbështetet nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së. Ne i inkurajojmë të dy partnerët që të shfrytëzojnë momentumin aktual politik për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në Dialog dhe për të bërë progres konkret, pa vonesa, drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv i partnerëve, i shoqëruar me përparim të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre.

