KORREKT / SOT11 nëntor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

Trajneri Maran dhe Ismajli: Përqendrim maksimal për sfidën ndaj Finlandës, gati për të dhënë gjithçka

Trajneri Maran dhe Ismajli: Përqendrim maksimal për sfidën ndaj Finlandës, gati për të dhënë gjithçka

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, dhe qendërmbrojtësi Ardian Ismajli dolën pasditen e sotme në konferencën zyrtare për mediat, në prag të ndeshjes ndaj Finlandës, që do të zhvillohet nesër në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.

Paraditen e sotme, Kombëtarja mbylli përgatitjet në kuadër të kësaj sfide, ndërsa trajneri Maran dhe Ismajli iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve në sallën e konferencave në “Air Albania”.

Trajneri Maran u shpreh optimist për ndeshjen ndaj Finlandës, duke theksuar se skuadra ka punuar mirë dhe se lojtarët janë të motivuar për të marrë një rezultat pozitiv.

Tekniku kuqezi vlerësoi mbështetjen e tifozëve dhe kërkoi përqendrim maksimal, përkushtim dhe përgjegjësi nga futbollistët për të bërë një paraqitje sa më të mirë.

Çfarë Shqipërie presim nesër? – Është ajo që shpresojmë të gjithë: të shohim golat e lojtarëve tanë. E shpresoj unë, e shpreson skuadra, por mbi të gjitha e shpresojnë të gjithë tifozët tanë. Nëse ka kaq shumë tifozë, kjo ndodh sepse ata besojnë te ne dhe kjo është gjëja kryesore që duhet të dimë dhe të respektojmë.

Nga ana jonë, e di që ekziston një dëshirë shumë e madhe për t’ua kthyer këtë përkushtim dhe këto vlera. Nga ajo që kam parë te këta djem dhe nga mënyra se si i përjetojnë grumbullimet, mendoj se janë të gjitha kushtet që të zbresim në fushë dhe të bëjmë mirë. Për këtë jam i bindur, sepse i shoh kur vijnë, i dëgjoj dhe e ndiej këtë dëshirë që kanë.

Ne duhet të jemi të aftë ta përcjellim në fushë këtë krenari, këtë mbështetje dhe këtë përkushtim, duke e bërë me shumë përgjegjësi, sepse përfaqësojmë diçka të rëndësishme dhe këtë e dimë shumë mirë.

Deklarata e trajnerit të Finlandës? – Besoj se çdo trajner, ashtu si edhe unë, ka të njëjtin besim te skuadra e tij. Të besosh te skuadra jote nuk duhet të konsiderohet si diçka e gabuar. Unë kam bindjet e mia dhe ato janë shumë të forta, sepse i kam parë lojtarët teksa punojnë, kam parë se si do të zbresim në fushë dhe e di që do të kemi mbështetjen e një stadiumi fantastik.

Besoj se janë të gjitha kushtet për të bërë mirë. Ne duhet vetëm të jemi të përqendruar te kjo dhe të mos shohim se çfarë thotë njëri apo tjetri. Duhet thjesht të jemi të bindur për atë që mund të bëjmë ne dhe kaq.

A është punuar me skuadrën që lojtarët të bashkëpunojnë më shumë në grup? – Në lidhje me ndeshjen ndaj San Marinos, kemi sqaruar që gjëja më e rëndësishme ishte fitorja dhe jo se cili lojtar do të shënonte gol. Nga ky këndvështrim, nuk ka asnjë dyshim që ky mesazh është kuptuar nga skuadra.

Megjithatë, në pjesën e dytë ndaj San Marinos ulëm ritmin, gjë që nuk duhet ta bëjmë. Këtë e dimë edhe vetë, pa qenë nevoja që të na e thotë dikush, sepse ishte e dukshme.

Por ajo ndeshje tregoi një skuadër që, pasi gaboi dhe pësoi gol, arriti të reagonte. Brenda 20 minutash realizoi tetë goditje në portë dhe e riktheu situatën në kontroll. Sigurisht, duhej ta kishim zgjidhur ndeshjen më herët. Megjithatë, është një skuadër që e ndien këtë përgjegjësi dhe e përjeton atë, por edhe kur gabon, arrin të reflektojë, të korrigjohet dhe të kuptojë se cila është rruga e duhur.

Ndeshja ndaj Finlandës? – Skuadra duhet të zbresë në fushë me synimin për të shënuar e para dhe për të pësuar sa më pak. Sipas mendimit tim, ndeshja e fundit ndaj San Marinos ka krijuar pak konfuzion lidhur me atë që po bënim deri në atë moment, sepse skuadra edhe në Finlandë ka ndërtuar mirë lojën, ka bërë atë që duhej dhe besoj se ka treguar dëshirën për të shënuar sa më shpejt dhe për të marrë kontrollin e ndeshjes.

Këtë e bëmë në Finlandë. Madje, ndaj San Marinos kaluam menjëherë në avantazh, por më pas ishim ne ata që i ndërlikuam gjërat. Jam i bindur se do t’ia dalim.

Çfarë karakteristike të popullit shqiptar doni të injektoni te skuadra? – Sigurisht, kjo krenari dhe vendosmëria për të arritur atë që synon, është diçka që e kam hasur në çdo ambient. Natyrisht, për mua federata është vendi ku punoj dhe ku takoj më shumë njerëz. Megjithatë, kjo këmbëngulje dhe kjo mënyrë e të kërkuarit të gjërave kanë qenë gjithmonë karakteristikë e këtij populli.

Besoj se edhe ne duhet ta përcjellim këtë në fushë, duke e bërë me një ndjenjë të madhe përgjegjësie. E përdor këtë fjalë, sepse për mua, termi “përgjegjësi” e shpreh më qartë se çdo fjalë tjetër këtë koncept.

Lojtarët e kampionatit shqiptar? – Është e rëndësishme të njoh sa më shumë lojtarët që aktivizohen në këtë kampionat, sepse një trajner i kombëtares duhet të ketë një ide të qartë, veçanërisht në vendin ku punon, për potencialin që mund të ketë. Për këtë arsye, po i ndjek me kënaqësi ndeshjet, për të parë dhe zbuluar lojtarë, ndoshta edhe për t’i ftuar në grumbullim, në mënyrë që të kuptoj më mirë vlerat e tyre të vërteta.

Është diçka që e bëj me dëshirë, por që, sipas meje, është edhe detyrë e një trajneri të kombëtares. Prandaj, nuk e konsideroj diçka të veçantë. Më vjen mirë që e vëreni, por mendoj se duhet të ketë respekt, nga ana ime, edhe për këtë kampionat, ashtu siç duhet të ketë respekt për kampionatet ku aktivizohen të gjithë lojtarët e tjerë në vende të ndryshme të botës.

Stadiumi “Air Albania” sold out, sa ndikon kjo te motivimi për lojtarët? – Një lojtar duhet të motivohet gjithmonë nga diçka, mbi të gjitha në një ndeshje si ajo e nesërmja, ku do të kemi një stadium që do të na mbështesë, që na pret dhe që beson te ne. Sepse nëse tifozët vijnë në stadium, kjo ndodh pikërisht sepse besojnë te ne.

Prandaj, mendoj se gjëja më e rëndësishme është që secili lojtar, individualisht, të largohet nga fusha pa pasur asgjë për t’i qortuar vetes. Kur një futbollist e di se ka dhënë gjithçka që mundej, ndonjëherë mund të ndodhin edhe gabime, por ai duhet të jetë i vetëdijshëm se ka dhënë maksimumin: çdo pikë djerse, gjithë përkushtimin, vëmendjen, zemrën dhe dëshirën për të arritur rezultatin, pra gjithçka që kërkohet.

Në atë moment, sipas meje, e ke zhvilluar ndeshjen siç duhet. Nuk e di se cili do të jetë rezultati, por jam i bindur se nëse japim gjithçka në këtë mënyrë, mundësitë për të arritur rezultatin e dëshiruar rriten ndjeshëm.

Ardian Ismajli u shpreh se Kombëtarja është përgatitur shumë mirë për sfidën ndaj Finlandës dhe se objektivi është të ruajë vendin e parë në grup, duke theksuar se gjithçka varet nga vetë skuadra. Mbrojtësi vlerësoi mbështetjen e tifozëve, foli për rëndësinë e shmangies së gabimeve dhe nënvizoi se lojtarët duhet të japin maksimumin në fushë për të arritur fitoren dhe për të bërë krenarë tifozët shqiptarë.

Ndeshja e radhës? – Jemi përgatitur jashtëzakonisht mirë. E dimë rëndësinë. E kemi obligim për vendin e parë. Jemi ekip më kualitativ se të gjithë në grupin tonë, por duhet ta dëshmojmë në fushë. Ndeshjen e parë në Finlandë, besoj që hiq kartonin e kuq, kemi bërë ndeshjen ndoshta më të mirë në vitet e fundit. Episodet e bëjnë të veten dhe me atë episod, ndeshja iku si iku. E rëndësishme që jemi në vend të parë, gjithçka varet nga ne dhe shpresojmë që ta mbarojmë ashtu siç kemi filluar.

Ndeshja e parë me Finlandën? –  Dy goditje standarde, dy gola, të dyja nga fazat e goditjeve të këndit. Besoj se nuk patëm fat në këtë ndeshje, sepse, me të vërtetë, zhvilluam një paraqitje shumë të mirë, edhe pse luajtëm me një lojtar më pak. Patëm dy raste, mund të them, për ta përmbysur ndeshjen, por megjithatë fati nuk ishte me ne.

Normalisht, duhet të jemi më të kujdesshëm, sidomos tani që e dimë se skuadra kundërshtare ka goditje shumë të mira standarde. Duhet të shmangim sa më shumë faullet pranë zonës sonë, por kjo varet edhe nga kundërshtari, sepse ndonjëherë edhe kundërshtarët të detyrojnë të shkaktosh faulle.

Presioni në “Air Albania”? – “Unë nuk besoj se çunat kanë panik ose, si të thuash, stres kur luajnë para tifozëve tanë. Ata janë lojtari ynë i dymbëdhjetë. Kemi pasur gjithmonë mbështetje të madhe, sepse tifozët na kanë përkrahur jashtëzakonisht shumë.

Tifozët kanë qenë gjithmonë pozitivë, edhe kur nuk kemi qenë në momentet tona jo më të mira. Na kanë mbështetur jashtëzakonisht shumë dhe në fund duam t’ua shpërblejmë me fitore.

Ndonjëherë më e rëndësishmja është fitorja. Nuk ka rëndësi se si luan, sepse fitorja i mbyll të gjitha problemet. Por unë besoj se çdo lojtar që luan këtu, ka një ndjenjë të veçantë, sepse vërtet kemi arritur gjithmonë rezultate fantastike”.

Gabimet individuale ndaj San Marinos? – Gabimet ndodhin, futbolli pa gabime nuk ka, por shpresojmë të shmangim sa më shumë ato gabime të vogla që ndonjëherë na kushtojnë. Duhet të jemi më të qartë në veprimet tona.

Besoj se edhe trajneri, së bashku me stafin e tij, ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë, sidomos pas katër ndeshjeve që zhvilluam një muaj më parë. Ata kanë analizuar gjithçka dhe kanë bërë atë që bën një trajner me stafin e tij. Na i kanë treguar këto gjëra përmes videove dhe gjatë stërvitjeve. Shpresojmë të zbatojmë atë që kërkon trajneri dhe kjo të na sjellë rezultat.

Si ndikon skema e Maran në repartin defensiv? – Duhet të kuptojmë se sistemi i mëparshëm ishte shumë defanziv dhe, mund të them, edhe shumë statik. Kërkohej që secili lojtar të qëndronte në pozicionin e vet dhe të ruante detyrat që kishte. Por ai futboll nuk ekziston më. Futbolli modern kërkon lëvizje, ashtu siç po kërkon trajneri aktual, Maran.

Kjo na ndihmon shumë, sidomos nëse arrijmë të ushtrojmë presion të vazhdueshëm ndaj kundërshtarit, sepse mund ta vendosim atë në vështirësi dhe ta detyrojmë të bëjë gabime. Ne jemi një ekip që mund të luajmë një kundër një gjatë gjithë kohës dhe nuk kemi probleme me këtë aspekt. Trajneri i ka parë cilësitë tona pozitive dhe ka vendosur të luajmë në këtë mënyrë.

Nëse qëndrojmë shumë prapa, atëherë kundërshtari ka më shumë mundësi të na rrezikojë me krosime dhe topa pas shpinës së mbrojtjes, gjë që e bën më të vështirë lojën tonë.

Përgjegjësia dhe pesha e fanellës? – Është një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe të veshësh fanellën e Kombëtares shqiptare. Sidomos kur luan për Shqipërinë, askush nuk duhet të hezitojë të vijë dhe të japë maksimumin për të përfaqësuar vendin e tij.

E kam thënë edhe më parë, nuk ka më ekipe të vogla në futbollin e sotëm. Edhe pse skuadrat që përmende janë në pozita të ulëta në renditje, secila Kombëtare luan futboll dhe duhet respektuar.

Shpresoj që tifozët të vazhdojnë të na mbështesin. E kam thënë edhe më herët, para tre vitesh kemi luajtur në Ishujt Faroe, ku kishim rreth 500 tifozë shqiptarë. Kjo është diçka e mrekullueshme, sidomos duke pasur parasysh distancën prej afërsisht 5.000 kilometrash. Ata nuk mungojnë asnjëherë.

Pika jonë më e fortë është mbështetja e tifozëve dhe kjo varet sigurisht edhe nga rezultatet, por edhe kur rezultatet nuk janë ato që dëshirojmë, ata na kanë përkrahur gjithmonë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Për këtë jam shumë i bindur, pasi ma kanë treguar gjatë gjithë këtyre viteve.

Ajo që na takon neve është të dalim në fushë, të japim shpirtin dhe të bëjmë krenarë tifozët. Pastaj, sigurisht, ajo që ka më shumë rëndësi është rezultati”.

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.