Kombëtarja shqiptare do të luajë nesër (e shtunë) ndaj Finlandës, në ndeshjen e tretë të grupit C1 në Ligën e Kombeve. Në prag të kësaj sfide, trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, dhe mbrojtësi Elseid Hysaj dolën në konferencën për media nga “Helsinki Olympic Stadium”, aty ku do të zhvillohet edhe ndeshja.
Trajneri Maran foli për karakteristikat e Finlandës, duke e cilësuar një skuadër të organizuar dhe të vështirë për t’u përballur. Tekniku kuqezi vlerësoi cilësitë e lojtarëve dhe theksoi se skuadra duhet të japë më shumë se 100% për të qenë konkurruese në grup.
Ku ndryshon Bjellorusia me Finlandën? – Janë dy skuadra me sisteme të ndryshme loje, por të dyja janë të organizuara. Finlanda është një skuadër mjaft e vështirë për t’u përballur. Ngjajnë disi për sa i përket pozicionimit në fushë, pasi të dyja bllokojnë hapësirat që mund të krijosh si kundërshtar.
Nëse Mitaj dhe Pilo do ta nisnin titullarë, si do të pozicionoheshin në fushë? – Sigurisht që e rëndësishme është ajo se çfarë ne mund të marrim nga cilësitë që ata kanë dhe se çfarë mund të japin në fushë, sidomos për skuadrën. Që ne të jemi kompetitivë, konkurrues në grup, duhet të shtyjmë pak më tepër, që të gjithë lojtarët të japim më shumë se 100% e tyre. Jemi me fat që kemi lojtarë me këto cilësi dhe karakteristika që mund të na shërbejnë për të gjithë skuadrën.
Krahu i majtë i mbrojtjes? – Mario Mitaj dhe Stavro Pilo kanë role dhe karakteristika të ndryshme. Mund të plotësojnë njëri-tjetrin, por mund të luajë edhe vetëm njëri titullar, siç ka ndodhur deri tani.
Sabah Kerjota? – Praktikisht kam grumbulluar disa lojtarë më shumë, duke qenë se ishin katër ndeshje. Sigurisht edhe për t’i njohur më afër secilin. Thjesht nuk ka qenë momenti për t’u inkuadruar me skuadrën, por sigurisht në të ardhmen mund të jetë.
– YouTube www.youtube.com
Elseid Hysaj e cilësoi Finlandën si një skuadër të fortë dhe tha se Shqipëria duhet të japë maksimumin për të arritur objektivin e saj. Ai theksoi se Kombëtarja është në evolucion dhe se, me trajnerin e ri, po zhvillon një lojë më të bukur dhe më sulmuese.
101 ndeshje me Kombëtaren, a po ndan pak nga përvoja jote me futbollistët më të rinj që janë afruar në Kombëtare? – Të them të drejtën, edhe kam ndarë pak përvojë nga ato që kam kaluar. Zakonisht tani ka ndryshuar pak puna e gjeneracionit, kështu që duhet t’i marrim ne të rinjtë, t’i përkrahim dhe t’i japim një dorë për t’i rritur, sepse janë pak më të brishtë se në kohën që ishim ne. Sigurisht janë lojtarë me kualitet dhe nuk kanë shumë nevojë që t’i ndihmojë. Jam i kënaqur nga kjo pjesë.
Objektivi i vendit të parë? – Kemi një skuadër shumë të fortë. Grupi është i fortë, me Finlandën dhe Bjellorusinë që janë pothuajse në të njëjtin nivel me ne. Është objektiv ynë që të kalonim këtë grup dhe të dilnim të parët, sepse, siç kam thënë edhe më parë, jemi një skuadër në evolucion dhe duhet të kërkojmë më shumë nga secili prej nesh. Kemi edhe trajnerin e ri, i cili po na ndihmon të zhvillojmë një lojë më të bukur dhe më sulmuese. Kështu që jam shumë i kënaqur.
Sa e ndritur është e ardhmja e futbollit në Shqipëri? – Besoj që janë duke dalë shumë lojtarë shqiptarë të rinj. E vetmja gjë që po mungon është në prapavijë, që nuk po dalin shumë mbrojtësa. Por në mesfushë dhe në sulm ka shumë zgjidhje dhe shumë lojtarë të fortë. Edhe Qefalia dhe Sina që erdhën, Hasa po ashtu, janë lojtarë të mirë që kanë një të ardhme përpara. Besoj që Shqipëria do të jetë e sigurt edhe për të ardhmen.
E ardhmja e Hysajt? – Të them të drejtën, Kombëtarja më ndihmoi, pasi ishte momenti për të treguar se jam ende në formë. Kanë kaluar shumë muaj që nuk luaja dhe besoj se do të hapet diçka e re, pasi jam në bisedime me disa skuadra, por ende nuk ka asgjë zyrtare. Jam i përqendruar te ndeshjet me Kombëtaren dhe më pas do të vendosim.
E ardhmja në kampionatin shqiptar? – Me gjithë respektin që kam për kampionatin shqiptar, këtë kohë e kam ndjekur me të vërtetë sepse është hera e parë që jam në Shqipëri dhe u stërvita me Vllazninë. Ishte si detyrë për ti ndjekur duke luajtur. Është një kampionat i mirë, por besoj që nuk është akoma momenti im që të rikthehem në Shqipëri.