Zvicra e mposhti bindshëm Maqedoninë e Veriut me rezultatin 3-0, pavarësisht mungesës së kapitenit Granit Xhaka. Por, edhe pse kombëtarja zvicerane tregoi se mund të funksionojë pa liderin e saj në fushë, tifozët nuk e harruan për asnjë moment mesfushorin shqiptar.
Pas situatës së krijuar rreth Xhakës, kapiteni i Zvicrës do të mungojë në tri ndeshjet e ardhshme të ekipit në Ligën e Kombeve.
Në duelin e së shtunës në Shkup, Zvicra zhvilloi një paraqitje të fortë dhe siguroi një fitore të pastër 3-0. Në vendin e Xhakës në mesfushë, Ardon Jashari pati një paraqitje të mirë dhe e menaxhoi me sukses repartin qendror.
Megjithatë, mungesa e Xhakës u ndje. Jo vetëm nga tifozët, por edhe nga bashkëlojtarët e tij.
“Për Granitin nuk ka nevojë të flasim. Ai nuk mund të zëvendësohet. Shpresojmë që Graniti të rikthehet sa më shpejt dhe që situata të zgjidhet”, deklaroi Remo Freuler pas ndeshjes për SRF.
Edhe tifozët zviceranë në tribunat e stadiumit në Shkup treguan mbështetjen e tyre për kapitenin. Pak minuta pas fillimit të ndeshjes, nga sektori i tifozëve nisën thirrjet: “Granit Xhaka! Granit Xhaka!”.
Thirrjet për kapitenin u dëgjuan edhe gjatë pjesës së parë, ndërsa në tribuna u shfaq edhe një pankartë me mesazhin e qartë: “Free Xhaka”.
Edhe pse Granit Xhaka nuk ishte i pranishëm në Shkup, emri i tij ishte padyshim një nga më të përmendurit gjatë mbrëmjes. Kapiteni mungoi në fushë, por mbështetja për të nga tifozët zviceranë ishte e dukshme. /Telegrafi/