Një deklaratë e futbollistit të ri të Bayern Munich, Lennart Karl (17), ka shkaktuar një stuhi në median sportive gjermane. Pas një ndeshjeje miqësore kundër RB Salzburg, ku Karl shënoi dy gola në një fitore 5-0, ylli i ri u shpreh se Real Madrid është “klubi i ëndrrave” i tij.
Deklarata e 17-vjeçarit u bë gjatë një vizite në klubin e tifozëve të Bayernit, “Burgsinn 1980, që pastaj shkaktoi bujë të madhe.
“FC Bayern është një klub shumë i madh. Është një ëndërr të luaj atje. Por një ditë dua patjetër të shkoj te Real Madridi. Ky është klubi im i ëndrrave”, deklaroi ai.
Drejtori sportiv i Bayernit, Christoph Freund (48), tha për Servus TV se Karl e kuptoi menjëherë gabimin e tij dhe kërkoi falje të nesërmen.
“Ai tha se nuk e kishte fare qëllimisht në atë mënyrë. Ndihet jashtëzakonisht rehat te Bayern Munich dhe po shijon çdo moment”, deklaroi Freund.
Freund theksoi gjithashtu se Karl kishte stërvitur si fëmijë në Real Madrid dhe pyetja mbi “klubin e ëndrrave” vinte si pjesë e një bisedë miqësore.
“Ai është vetëm 17 vjeç dhe shumë i lumtur te Bayern. Ne jemi të lumtur që ai është me ne”, deklaroi Freund.
Lennart Karl mbetet një nga talentet më premtuese të Bayern Munich, dhe klubi e trajtoi situatën me qetësi, duke i dhënë mbështetje dhe këshilla për të ardhmen e tij. /Telegrafi/