Platforma e njohur e tregtisë online "Temu", me bazë në Kinë, ka pranuar të ndryshojë disa nga praktikat e saj tregtare në Bashkimin Evropian.
Në të njëjtën kohë, kompania do të ndërmarrë masa më të rrepta për të parandaluar shitjen e produkteve ilegale.
Kjo do të thotë se Temu do t'i përshtatë praktikat e saj me rregullat e BE-së për mbrojtjen e konsumatorëve, ka bërë të ditur Komisioni Evropian, raporton Euronews, transmeton Klan Kosova.
“Angazhimet e Temu-t janë një hap i rëndësishëm drejt garantimit që konsumatorët të mund të bëjnë blerje online me besim, duke e ditur se çmimet janë transparente, vlerësimet janë të besueshme dhe të drejtat e tyre për kthimin e produkteve dhe rimbursimin e parave respektohen”, deklaroi Michael McGrath, komisioneri i BE-së për Mbrojtjen e Konsumatorit.
Ai shtoi se Komisioni Evropian do ta monitorojë vazhdimisht kompaninë. Ndërkaq, Temu është zotuar të përmirësojë qasjen e konsumatorëve në informacion, të rrisë transparencën e çmimeve dhe të lehtësojë proceset e kthimit të produkteve dhe rimbursimit të parave.
“Jemi të kënaqur që kemi arritur një marrëveshje me Komisionin Evropian dhe autoritetet kombëtare për mbrojtjen e konsumatorëve”, është shprehur një zëdhënës i kompanisë Temu. /Klankosova.tv

