Një teknologji e re e zhvilluar nga studiuesit e Institutit Federal të Teknologjisë në Cyrih (ETH Zürich) mund të ndryshojë mënyrën se si njerëzit komunikojnë me inteligjencën artificiale.
Bëhet fjalë për një sensor të vogël, të quajtur “InvisiSpeech”, i cili vendoset pranë një dhëmbi të pasmë dhe mundëson dërgimin e komandave pa shqiptuar asnjë fjalë dhe pa lëvizur buzët.
Pajisja funksionon duke regjistruar dridhjet shumë të vogla që krijohen në gojë kur përdoruesi formon fjalët me gjuhë, por pa i shqiptuar ato me zë.
Të dhënat transmetohen më pas në telefonin inteligjent, ku një model i inteligjencës artificiale i interpreton fjalët dhe i shndërron ato në komanda.
Sensori është zhvilluar nga studiuesit e laboratorit Sensing, Interaction & Perception Lab (SIPLAB), nën drejtimin e profesorit të shkencave kompjuterike në ETH Zürich, Christian Holz.
Pajisja vendoset si një mbajtëse e vogël mes dhëmballës së pasme dhe faqes, duke mbetur e padukshme nga jashtë, transmeton Telegrafi.
Ajo përmban sensorin, baterinë dhe pajisjet elektronike për transmetimin pa tela të të dhënave.
Në testimet e para, ku morën pjesë 15 persona, sistemi arriti të identifikojë saktë rreth 90 për qind të 50 komandave të paracaktuara në gjuhën angleze.
Sipas studiuesve, pajisja funksionoi me rezultate të mira edhe në ambiente me zhurmë, ndërsa për secilin përdorues nevojitej vetëm një kalibrim i shkurtër.
Teknologjia është testuar për disa funksione, përfshirë ndezjen dhe fikjen e pajisjeve përmes komandave të heshtura, marrjen e informacioneve gjatë një takimi dhe përkthimin e përmbajtjeve në gjuhë të huaja përmes syzeve inteligjente me inteligjencë artificiale.
Një nga synimet kryesore të studiuesve është që kjo pajisje të mundësojë biseda të natyrshme me inteligjencën artificiale, ngjashëm me komunikimin përmes zërit në asistentët virtualë.
Përdoruesit do të mund të formojnë pyetjet me gjuhë pa folur, ndërsa përgjigjet do t’i dëgjojnë përmes kufjeve.
Kjo mund të jetë veçanërisht e dobishme në transportin publik, në zyra apo në ambiente ku njerëzit dëshirojnë të komunikojnë me inteligjencën artificiale pa tërhequr vëmendjen e të tjerëve.
Studiuesit theksojnë se pajisja nuk kërkon implantim apo ndërhyrje kirurgjikale dhe mund të vendoset e të hiqet lehtësisht.
Ndryshe nga ndërfaqet që lidhin trurin me kompjuterin, “InvisiSpeech” nuk mat sinjalet e trurit, por vetëm dridhjet e krijuara në gojë gjatë formimit të fjalëve.
Megjithatë, teknologjia ende nuk është plotësisht e gatshme për përdorim të përditshëm. Sfidat kryesore mbeten njohja e fjalive më të gjata dhe më komplekse, si dhe funksionimi i besueshëm gjatë ecjes apo lëvizjeve të shpejta.
Në zhvillimin e kësaj teknologjie, përveç ETH Zürich, kanë kontribuar edhe studiues nga Universiteti Aarhus në Danimarkë dhe Penn State University në SHBA.
Zhvillimi i “InvisiSpeech” paraqet një hap të ri në ndërveprimin mes njeriut dhe inteligjencës artificiale, duke hapur mundësi për komunikim më diskret, pa zë dhe pa pasur nevojë që njerëzit përreth të kuptojnë se përdoruesi po komunikon me një sistem të inteligjencës artificiale./Telegrafi/

