Një person është plagosur sonte si pasojë e të shtënave me armë zjarri në fshatin Banjë të Istogut.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.
“Sot rreth orës 20:50, Policia është njoftuar se në fshatin Banjë-Istog, një person është lënduar nga arma e zjarrit. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes për të mbledhur provat e nevojshme”, ka thënë Rugova.
Sipas tij, personi i plagosur është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa gjendja e tij është stabile.
“I lënduari është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë për tretman mjekësor dhe sipas mjekëve gjendja e tij është stabile”, ka deklaruar ai.
Rugova ka bërë të ditur se i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe se Policia po punon për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
“Ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes, Policia është duke punuar intensivisht për kapjen e personit të dyshuar”, ka thënë Rugova.
Njësitet përkatëse policore po ndërmarrin veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të rastit. /Telegrafi/
