Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gazmend Gjyshinca, është emëruar ambasador i ri i Republikës së Kosovës në Japoni.
Lajmin e ka bërë të ditur deputeti aktual nga Vushtrria, Sylejman Meholli, përmes një postimi në Facebook, ku ka uruar Gjyshincën për detyrën e re diplomatike, shkruan IndeksOnline.
Meholli ka bërë të ditur se Gjyshinca, i cili është bashkëvendës i tij nga Vushtrria, ka marrë vlerësim të lartë nga komisioni vlerësues.
“Me një performancë të lartë, ambasadori Gazmend Gjyshinca ka marrë vlerësim unik pranë komisionit vlerësues dhe, pa dyshim, është meritor në rrugëtimin e ri diplomatik që po e fillon.
Me Gazin njihemi që nga shkolla e mesme, por nuk mund të mos e veçoj faktin se, në dy vitet e fundit, teksa pata shumë beteja zgjedhore, politike e jetësore, mbështetja e tij publike dhe e sinqertë la mbresa të veçanta tek unë, përmes njerëzillëkut të treguar. Zaten, jo më kot thuhet: miku i mirë njihet në ditë të vështira.
Të uroj sukseset më të larta, shok i dashur Gaz, në karrierën diplomatike! Uroj të na bësh krenarë Vushtrrinë dhe Kosovën”, ka shkruar Meholli./IndeksOnline/

