Të paktën dy persona kanë vdekur dhe gjashtë të tjerë janë plagosur pas të shtënave me armë zjarri jashtë një kishe mormone në Utah të mërkurën në mbrëmje.
Akti i tmerrshëm i dhunës ndodhi në parkingun e një shtëpie takimi të kishës në Redwood Road në Salt Lake City rreth orës 7.30 të mbrëmjes.
Dhjetëra njerëz po merrnin pjesë në një funeral brenda ndërtesës në atë kohë. Të gjitha viktimat ishin të rritur, transmeton Telegrafi.
Zëdhënësi i policisë së Salt Lake City, Glen Mills, tha se një kërkim aktiv është duke u zhvilluar për të gjetur autorin ose autorët e vrasjes.
Policia nuk ka publikuar një përshkrim të të dyshuarve ose automjetit të tyre, megjithatë të paktën një person u mor në paraburgim pak para orës 10 të mbrëmjes.
“Ne nuk besojmë se ky ishte një sulm i synuar kundër një feje, por gjithashtu nuk besojmë se ishte i rastësishëm”, tha shefi i policisë së Salt Lake City, Brian Redd, gjatë një konference për shtyp vonë në mbrëmje.