Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar sot përgatitjet për ndeshjen miqësore kundër Andorrës, e cila zhvillohet më 7 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”, ndërsa pas seancës stërvitore ka folur futbollisti Ron Raçi, duke vënë theksin te reagimi i ekipit pas ndeshjes së fundit.
Raçi tha se “Dardanët” duhet ta lënë pas humbjen ndaj Çekisë dhe të përqendrohen te ndeshja e radhës, ku synohet paraqitje më e mirë dhe rezultat pozitiv.
“Duhet ta lëmë pas humbjen dhe të fokusohemi te loja e ardhshme. Jemi duke punuar mjaft mirë me trajnerin dhe çdo stërvitje po zhvillohet me intensitet të mirë. Grupi është shumë i mirë, të gjithë po punojmë fort dhe besoj se do t’i qasemi ndryshe kësaj ndeshjeje”, u shpreh Raçi.
Ai theksoi edhe rëndësinë e faktorit fushë dhe mbështetjes së tifozëve në “Fadil Vokrri”.
“Do të luajmë në shtëpinë tonë, pranë tifozëve tanë, dhe shpresoj që me një paraqitje të mirë t’i shpërblejmë ata me fitore”, shtoi ai.
Raçi foli po ashtu për ndjenjën e rikthimit në Kombëtare dhe për përgjegjësinë që sjell fanella e Kosovës.
“Kur të jepet mundësia të luash për Kombëtaren, duhet të japësh maksimumin. Është ndjenjë shumë e mirë të jem sërish këtu. Sa herë që më jepet mundësia, do të mundohem ta tregoj veten dhe të jap 100 për qind nga vetja”, përfundoi Raçi.
Kosova vazhdon përgatitjet edhe në ditët në vijim, nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda, me fokus në aspektin taktik dhe në rritjen e ritmit për ndeshjen e 7 qershorit. /Telegrafi/
