Gazetari Andi Shabani, nga stadiumi “Aviva” në Dublin, zhvilloi një bisedë me Arlind Sadikun, drejtorin e sportit në Artmotion.
Sadiku tha se ndonëse është diskutuar skenari që Kosova të bie në Ligën C, ky skenar, sipas tij, ishte parashikuar si i pamundur.
Megjithatë, ai tha se rënia e Kosovës në Ligën C erdhi falë Austrisë që nuk u mposht nga Izraeli.
Ndër të tjera, Sadiku tha se Kosova nuk e ka fondin e lojtarëve kualitativë, sidomos në repartin defansiv.
“Në mesfushë kemi lojtarë të limituar për të përfaqësuar kombëtaren tonë”, deklaroi ai.
Ai tha se deri te kartoni i kuq i Kosovës në ndeshjen ndaj Irlandës, dardanët patën 2-3 raste për të shënuar.
Ndër të tjera, Sadiku tha se nuk e di se si do të shkojë trajneri Franco Foda në ndeshjet kualifikuese për Evropian “me këto eksperimente që i ka bërë në Ligën e Kombeve”.
“Sa do t’i shërbejnë këto ndeshje, mbetet të shihet, por nuk mendoj se ai do ta cilësojë si një cikël të suksesshëm kualifikues, sepse ne humbëm edhe vazon e dytë në shortin e kualifikimkeve për Evropian, sepse, po të barazonim apo fitonim sonte, do të shmangnim kombëtare si Zvicra, Turqia, Austria të cilat mund të na bien në short për Evropian. Me sonte na është vështirësuar rruga për t’u kualifikuar në Evropian”, deklaroi Arlind Sadiku.
Sipas tij, "lajmi i mirë në këtë të keqen e sotme është që nuk ramë në Ligën C". /Klankosova.tv

