Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka analizuar disfatën 3-0 ndaj Irlandës dhe rrugëtimin e përgjithshëm të “Dardanëve” në Ligën B të Ligës së Kombeve, duke kritikuar mosdisiplinën në fushë, por duke vlerësuar mësimet e nxjerra nga ky edicion.
Tekniku gjerman theksoi se Kosova e nisi mjaft mirë takimin dhe dominoi në 25 minutat e para, por kartoni i kuq ndryshoi gjithçka, duke nënvizuar se një lojtar me përvojë duhet të marrë vendime më të matura në momente të tilla.
“Filluam mirë në 25 minutat e para dhe ishim dominantë. Pas kartonit të kuq ishte e vështirë të luanim me një lojtar më pak, por edhe pas tij patëm një mundësi shënimi me kokë. Ndërsa pas golit të dytë të irlandezëve u bë shumë e vështirë sepse Irlanda bëri presion të madh. Në këtë nivel nuk mund t’i luash dy ndeshje radhazi me një lojtar më pak në fushë; nuk duhet të ndodhte, si një lojtar me përvojë duhet të marrësh vendim tjetër”, deklaroi Foda.
Sa i përket aventurës së parë të Kosovës në Ligën B, Foda u shpreh se diferenca me Ligën C ishte e dukshme dhe shprehu keqardhje për pikët e lëshuara në takimet e kaluara ndaj Austrisë dhe Izraelit.
“Ishte hera e parë që luajtëm në Ligën B. E nisëm mirë, ndaj Irlandës fituam në shtëpi, ndërsa ndaj Austrisë dhe Izraelit është dashur të merrnim pikë të plota. Skuadra ka marrë mësim dhe pamë që Liga B është një nivel tjetër nga Liga C. Ajo që na mungoi ishin golat ndaj Austrisë dhe Izraelit, ndeshje që duhej t’i fitonim”, shtoi selektori i “Dardanëve”.
Në fund, Foda hodhi sytë nga e ardhmja dhe shorti i muajit dhjetor për kualifikimet e Evropianit, duke shprehur besimin se në muajin mars do t’i ketë të gjithë futbollistët në formën e tyre optimale.
“Të shohim shortin në dhjetor për vitin e ardhshëm dhe jam i bindur se do t’i kemi të gjithë lojtarët në formën më të mirë të mundshme në muajin mars”, përfundoi Foda. /IndeksOnline/

