Shefi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Prishtinës, Gëzim Sveçla, ka kritikuar projektbuxhetin e kryeqytetit për vitin 2027.
Në një deklarim të tij në Kuvendin e Prishtinës, Sveçla ka thënë se gjatë pesë vjetëve të fundit ekzekutivi i Përparim Ramës ka pasur të buxhetuara 227 milionë euro për investime kapitale, duke ngritur pyetjen se çfarë është realizuar me këto mjete.
“Për pesë vjet, ekzekutivi i Përparim Ramës i ka pasur të buxhetuara 227 milionë euro për investime kapitale. Çka është investuar me to? Çka ka ndryshuar në Prishtinë me këto 227 milionë euro?”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka kritikuar edhe përmbajtjen e buxhetit të propozuar për vitin 2027, duke pretenduar se në të nuk janë paraparë mjete për blerjen e autobusëve të rinj, kamionëve për mbeturina, Unazën e Madhe apo ndonjë rrugë të re.
Sipas tij, projekti me vlerën më të madhe të përmendur në këtë buxhet është zgjatja e sheshit “Xhorxh Bush” në drejtim të Postës së Re, me vlerë mbi 7 milionë euro.
“Në buxhetin e vitit 2027 nuk parashihet asnjë autobus i ri, asnjë kamion i ri për mbeturina, as Unaza e Madhe, as ndonjë rrugë e re. Ndërkohë, projekti më i madh, mbi 7 milionë euro, është zgjatja e sheshit ‘Xhorxh Bush’ deri te Posta e Re”, ka thënë ai.
Sveçla ka vlerësuar se buxheti i propozuar nuk u përgjigjet, sipas tij, problemeve që përballen qytetarët e Prishtinës.
“Ky buxhet nuk u përgjigjet problemeve të qytetarëve. Prandaj, Lëvizja Vetëvendosje! nuk e mbështet”, ka deklaruar Sveçla. /Telegrafi/