Më shumë se 45 mijë studentë në të gjithë Gjermaninë kanë protestuar kundër planeve për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Demonstratat janë zhvilluar në më shumë se 100 qytete, ndërsa protestuesit kanë kundërshtuar planet e qeverisë për ndryshimin e sistemit të shërbimit ushtarak.
Protestat nisën pasi Ministria e Mbrojtjes filloi t’i thërrasë 18-vjeçarët për kontrolle mjekësore, në kuadër të një ligji të ri për shërbimin ushtarak.
Sipas studentëve, edhe pse sistemi aktualisht mbetet vullnetar, masat e reja tregojnë se qeveria po lëviz drejt një rikthimi gradual të shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Ata kundërshtojnë veçanërisht përfshirjen e të rinjve në procesin e kontrolleve mjekësore dhe paralajmërojnë kundër çdo mase që mund ta bëjë shërbimin ushtarak të detyrueshëm në të ardhmen.
Debati për shërbimin ushtarak është rikthyer në qendër të vëmendjes në Gjermani, ndërsa vendi po përpiqet të forcojë kapacitetet e Bundeswehrit dhe të rrisë numrin e personelit ushtarak. /Telegrafi/