Barcelona edhe pse fitoi në ndeshjen e kthimit çerekfinale ndaj Atletico Madridit në “Metropolitano” me rezultat 2-1, kjo nuk i mjaftoi për kualifikim, pasi katalanasit eliminohen nga Liga e Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 3-2, duke pasur parasysh humbjen 2-0 në ndeshjen e parë.
Skuadra e Hansi Flick e nisi ndeshjen në mënyrë perfekte dhe kaloi në epërsi që në minutën e 4-t, kur Lamine Yamal përfitoi nga një gabim në mbrojtjen e Atleticos, doli përballë Juan Musso-s dhe shënoi me qetësi për 1-0.
Barcelona vazhdoi të krijojë raste, ndërsa Musso u detyrua të intervenojë edhe ndaj Dani Olmos.
Goli i dytë erdhi në minutën e 24-të, kur Dani Olmo asistoi brenda zonës për Ferran Torres, i cili finalizoi saktë për 2-0, duke rihapur plotësisht garën për kualifikim.
Megjithatë, Atletico reagoi shpejt dhe në minutën e 31-të, kur Ademola Lookman shënoi për 2-1, pas një aksioni ku u shërbye nga Marcos Llorente dhe goditi në mënyrë të pandalshme, gol që rezultoi vendimtar për epilogun e eliminatores.
Në pjesën e dytë, Barcelona mendoi se e siguroi përmbysjen kur Ferran Torres realizoi sërish në minutën e 55-të, por pas rishikimit të VAR-it, goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Ndeshja u bë edhe më e tensionuar në minutat e fundit, kur Eric Garcia u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes së VAR-it, duke e lënë Barcelonën me 10 lojtarë në fundin e takimit.
Atletico pati disa raste për të shënuar, por portieri i Barcelonës, Joan Garcia, u dallua me pritje vendimtare, duke ruajtur rezultatin 2-1.
Ronald Araujo, kishte rast të mirë me kokë ta barazojë rezultatin, por gjuajtja e tij shkoi mbi portë.
Pavarësisht fitores në Madrid, Barcelona ndalet në çerekfinale, ndërsa Atletico Madrid siguron kualifikimin në gjysmëfinale falë rezultatit të përgjithshëm 3-2. /Telegrafi/