Kosova do të paraqitet me të njëjtën strukturë taktike edhe në përballjen e sotme ndaj Austrisë, me Franco Fodën që mund t’i besojë skemës 3-4-3, e cila gjatë fazës së mbrojtjes mund të shndërrohet në 5-4-1.
Në portë është Arijanet Muric, ndërsa treshja e mbrojtjes përbëhet nga Lumbardh Dellova, Ilir Krasniqi dhe Ron Raçi.
Para tyre, Dion Gallapeni dhe Mërgim Vojvoda do të kenë rol të rëndësishëm në të dyja fazat, duke vepruar si krahë të linjës së mesfushës, ndërsa Leon Avdullahu dhe Veldin Hoxha formojnë dyshe-në qendrore.
Foto: Ridvan Slivova
Në repartin ofensiv, Ermal Krasniqi dhe Baton Zabërgja janë në krahët e Vedat Muriqit, i cili do ta ketë detyrën kryesore në majë të sulmit. Kjo do t’i jepte Kosovës mundësinë që në momentet kur ka topin të ketë tre lojtarë në vijën e parë, ndërsa në fazën pa top struktura të ndryshojë ndjeshëm.
Kështu, 3-4-3 mund të bëhet shumë lehtë 5-4-1. Gallapeni dhe Vojvoda do të tërhiqeshin në vijën e mbrojtjes, duke krijuar një pesëshe përpara Muricit. Ermal Krasniqi, Leon Avdullahu, Veldin Hoxha dhe Baton Zabërgja do të formonin një linjë prej katër lojtarësh në mesfushë, ndërsa Muriqi do të mbetej i vetëm përpara, me detyrën për të mbajtur topin dhe për të shfrytëzuar hapësirat pas mbrojtjes austriake.
Foto: Ridvan Slivova
Kjo strukturë do t’i mundësonte Kosovës të jetë kompakte pa top dhe njëkohësisht të ketë mundësi të dalë shpejt në kundërsulm. Në ndeshjen ndaj Irlandës, Kosova përdori një strukturë me tre qendërmbrojtës dhe krahë të avancuar, ndërsa fitorja 1-0 erdhi pas një paraqitjeje ku skuadra ruajti portën të paprekur.
Përballë Austrisë, megjithatë, kërkohet disiplinë edhe më e madhe në krahë, pasi skuadra e Ralf Rangnickut pritet të luajë me katër mbrojtës dhe të ketë lojtarë ofensivë që kërkojnë vazhdimisht hapësirat mes linjave. Austria e nisi këtë edicion me fitore 3-1 ndaj Izraelit dhe krijoi një numër të madh rastesh, çka e bën fazën defensive të Kosovës një prej pikave kryesore të ndeshjes.
Foto: Ridvan Slivova
Në anën tjetër, për Kosovën ekziston mundësia që kjo strukturë të jetë më agresive sapo të fitohet topi. Në vend që të qëndrojë vazhdimisht në 5-4-1, skuadra mund të rikthehet menjëherë në 3-4-3, me Gallapenin dhe Vojvodën që shtyhen përpara dhe me Krasniqin e Zabërgjanë që afrohen me Muriqin.
Në këtë mënyrë, Foda mund të ruajë të njëjtën ide bazë që funksionoi ndaj Irlandës, por ta përshtatë atë me karakteristikat e kundërshtarit. Për Kosovën, sfida kryesore do të jetë të mos mbetet shumë gjatë e ngujuar në 5-4-1, por të gjejë momentin e duhur për të dalë përpara dhe për ta shfrytëzuar shpejtësinë e lojtarëve në krahë. /Telegrafi/