Përfundon pas një beteje të gjatë dhe të vështirë zjarri që përfshiu Malin e Krujës, ndërsa bilanci, sipas kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, është një magazinë e shkrumbuar dhe asnjë banor i dëmtuar.
Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Rama përmes një postim në platformën X ku ka vlerësuar punën e forcave zjarrfikëse, ushtarake dhe policore të angazhuara gjatë gjithë natës në përballjen me flakët.
Rama shkruan se operacioni u zhvillua në kushte veçanërisht të vështira, për shkak të erës së fortë dhe pamundësisë për të përdorur gjatë natës mjetet zjarrshuese nga ajri.
Sipas tij, falë ndërhyrjes së forcave në terren u shmang një bilanc më i rëndë, veçanërisht për banorët e zonës që u përballën me rrezikun e përhapjes së flakëve.
Kryeministri ka vlerësuar profesionalizmin dhe guximin e zjarrfikësve, Forcave të Armatosura dhe Policisë, duke i cilësuar ata si “heronjtë” e vijës së zjarreve.
“Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës, ku në praninë e erës dhe në pamundësinë e natës për të përdorur mjete zjarrshuajtëse nga ajri, trupat tona zjarrfikëse, ushtarake e policore u përballën me heroizëm e me aftësi të spikatur profesionale, duke shmangur një bilanc që mund të kishte qenë tragjik siç fatkeqësisht po ndodh në vende të tjera të Europës në këtë verë përvëluese”, shkruan Rama.
Rama ka shprehur gjithashtu respekt dhe mirënjohje për të gjithë efektivët e angazhuar në situatat e zjarreve gjatë këtij muaji, ndërsa ka sjellë në vëmendje edhe një mesazh që, sipas tij, një banor i Krujës i kishte dërguar gjatë orëve të natës. /Telegrafi/
